Futboll

Fund spektakolar i derbit, Partizani feston fitoren drithëruese dhe vendin e dytë

Gazeta Si – Partizani ka fituar derbin e parë të sezonit ndaj Tiranës, me rezultatin 2-1. Ishte një ndeshje e luftuar, që pjesën më të mirë të saj e kishte ruajtur për momentet e fundit, kur u shënuan 3 golat.

Maget me kokë gjeti rrjetën në zhvillimet e një goditjeje këndi 12 minuta para fundit. Tirana arriti të barazonte me Hasanin në minutën e fundit të kohës së rregullt. Kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në barazim, të kuqtë realizuan golin e dytë dhe të fitores. Keko gjuajti më të majtën dhe Mensah e devijoi topin fare lehtë para se të përfudonte në rrjetë.

Tirana ishte pa fat në këtë ndeshje, ku goditi dy herë traversën me Abazajn dhe me Hoxhallarin. Në sekondat e fundit iu afrua golit të barazimit me portierin Abdullahu, gjuajtja e të cilit u ndal nga grushtimi i Hoxhës.

Partizani me këtë fitore e ka parakaluar Tiranën në renditje, duke dalë një pikë para saj. Të kuqtë mbajnë vendin e dytë aktualisht me 14 pikë dhe një ndeshje më pak, atë me Teutën, që nëse e fitojnë, dalin në krye. Tirana zbret në vend të 4 pas kësaj disfate.

Partizani në këtë ndeshje u drejtua nga drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, ndërkohë që priten zhvillime sa i takon trajnerit të ri, me legjendën kroate Robert Prosineçki që ishte në Tiranë sot.

Gjatë derbit nuk munguan incidentet me tifozët, të cilët hodhën flakadanë dhe sende të tjera në fushë, duke shkaktuar ndërprerjen e lojës në disa momente. Kapitenët Najdovski dhe Hoxha u urdhëruan dy herë që t’u bënin thirrje tifozëve për të mos krijuar probleme. Interesimi ishte i madh për derbin, me mbi 15 mijë tifozë të pranishëm në stadium.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë