Drejtësia

‘Ftohja’ e Ministrisë së Drejtësisë me institucionet e reja të drejtësisë

Analiza vjetore e punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor nxorri në pah mes fjalimeve të drejtuesve të këtyre dy institucioneve të reja të drejtësisë përplasjen që duket se vlon me Ministrinë e Drejtësisë në lidhje me qasjet e ndryshme për sistemin.

Mbingarkesa e dosjeve dhe mungesa e numrit të nevojshëm të prokurorëve, gjyqtarëve dhe ndihmësve e këshilltarëve të tyre ligjorë ishte kryefjala e shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit dhe anëtarët, si nga KLP, ashtu edhe nga KLGj.

Por si zgjidhet ngërçi i stokut të dosjeve? Propozimit ishin disa dhe të ndryshme, por me të përbashkëtën që të gjitha kërkojnë ndërhyrje në legjislacionin ekzistues dhe ndërhyrjen mund të bëjë vetëm Kuvendi dhe Qeveria.

Drejtuesit e institucioneve të drejtësisë propozojnë që të ndërhyhet për të prezantuar konceptin e këshilltarit dhe ndihmësit ligjor te prokurorët, të ndryshojë ligji i rekrutimit të këshilltarëve dhe ndihmësve ligjorë dhe të reduktohet përkohësisht nga tre në dy vite Shkolla e Magjistraturës për të mbushur vendet e lëna bosh nga shkarkimi për shkak të vettingut i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Për këtë arsye në këtë tryezë do të duhej të ishte edhe ministri (i Drejtësisë) Manja”, tha ndër të tjera në fjalën e tij, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

Publikisht, përplasja është shfaqur si këndvështrim i ndryshëm idesh dhe një ngërç lehtësisht i tejkalueshëm. Por, jopublikisht Gazetasi.al mëson se përplasja mes asaj që quhet “qeveria e sistemit të drejtësisë” dhe qeverisë ekzekutive është më e thellë dhe ka nisur që në kohën që Ministria e Drejtësisë drejtohet nga Etilda Gjonaj.

Ministrisë, sipas burimeve të Gazetasi.al i janë dorëzuar vazhdimisht nga KLP dhe KLGj propozime për ndërhyrje në legjislacionin aktual, që në këndvështrimin e këtyre institucioneve do të ndihmojnë në përballimin e mbingarkesës dhe lehtësimin e punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Kërkesat janë përcjellë “në heshtje” nga Ministria e Drejtësisë dhe stafeta tashmë i kaloi Ulsi Manjës në krye të këtij institucioni. Edhe Manjës, KLP i ka shprehur shqetësimin në lidhje me mbingarkesën e sistemit dhe nevojës për ndërhyrje ligjore, por pa marrë një përgjigje pozitive mbrapsht prej këtij institucioni.

Pas diskutimeve jashtë kamerave, duket se kjo ka qenë edhe arsyeja se përse kreu i KLP-së në analizën vjetore të punës së këtij institucioni “e thumboi” ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja për mungesën në tryezën e përbashkët me KLP dhe KLGj.

Nga ana e saj, kryetarja e KLGj-së, Naureda Llagami e cilësoi mbingarkesën si një problem që tejkalohet me burimet e nevojshme njerëzore dhe menaxhimin e mirë të sistemit të drejtësisë. Por, edhe vetë institucioni që ajo drejton ka një historik përplasjeje me Ministrinë e Drejtësisë sa i takon hartës së re gjyqësore.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ishte pjesë e tryezës së përbashkët me KLGj-në për prezantimin e hartës së re gjyqësore, që përgjysmon numrin e gjykatave në mbarë vendin dhe për më tepër fshin nga harta gjykatat e apelit në rrethe, duke i grumbulluar ato në Tiranë.

Kërkesa për një gjykatë të vetme Apeli ka qenë këmbëngulje nga ana e KLGj-së, megjithëse më herët kjo e fundit i ka dorëzuar një variant Ministrisë së Drejtësisë maksimumi të tre gjykatave Apeli, një në veri, një në jug dhe një në Tiranë.

Të gjitha variantet e KLGj-së u pritën me rezerva nga Ministria e Drejtësisë për shkak të përqendrimit të madh të tyre, si për numër popullsie, ashtu edhe hapësire gjeografike. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, këto variante mund të vështirësojnë edhe më tej aksesin e qytetarëve te shërbimet e sistemit të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë