Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut ku e fton në një takim për të diskutuar për proceset e formimit të Qeverisë.
Nuk dihet ende nëse kjo është ftesë për koalicion, megjithatë, Kurti ka lënë të kuptohet se nuk i ka siguruar numrat e duhur për të formuar qeverinë.
Si opsione për takimin, Kurti në letër i ofron Abdixhikut dy ditë dhe tri orare të ndryshme.
“Me qëllim të konstitutimit të plotë të Kuvendit të Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, ,e datë 10 prill, në orën 09:00 ose 14:00”, thuhet në letër.

Gjithashtu, nuk dihet ende nëse e njëjta ftesë i ka shkuar PDK-së dhe AAK-së.
Vetëvendosja ka marrë 48 deputetë në këto zgjedhje, ndërsa për formimin e qeverisë kërkohen 61.
Edhe nëse të gjithë deputetët e pakicave, përjashtuar Listën Serbe, votojnë për Kurtin, prapë mbetet në jo më shumë se 59 deputetë, dy më pak se pragu i nevojshëm.
Theksojmë se Kurti javën e kaluar zhvilloi një cikël takimesh me komunitet jo-shumicë, por nuk konfirmoi nëse i ka votat e të gjithëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.