Drejtësia

Fshihej prej 11 vitesh në Lisbonë, arrestohet nga policia portugeze kunati i Vis Martinaj

Nga Gazeta 'Si'- Prej 11 vitesh strehohej në një pallat luksoz në qendër të Lisbonës, ku fqinj kishte “Fantazmën”, Ícaro Leddy Gouveia, një nga anëtarët kryesor të grupit mafioz “Mocro”.

Bëhet fjalë për 52-vjeçarin shqiptar Arben Kaçorri, i cilësuar si një nga figurat kryesore të mafias ballkanike, i cili është arrestuar nga autoritetet portugeze.

Kaçorri, i cili rezulton i dënuar në Itali me 22 vite burg për vrasje, jetonte në një pallat luksoz në lagjen Parque das Nações prej më shumë se një dekade dhe nuk ishte vënë re nga policia portugeze.

Në të njëjtën ndërtesë, vetëm një kat më lart, jetonte portugezo-braziliani me pasaportë holandeze, Ícaro Leddy Gouveia, i njohur si një nga anëtarët më aktivë të mafias marokene, që vepron kryesisht në Holandë.

Sipas mediave në Portugali, Kaçori dhe Icaro drejtonin një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, i cili operonte në Portugali dhe Holandë, ndërsa çdo veprim koordinohej nga ndërtesa ku të dy jetonin.

Kaçori është vënë në pranga më 3 korrik nga Njësia Kombëtare për Luftën kundër Trafikut të Drogës në kuadër të operacionit “Labyrinth”, që çoi në çmontimin e infrastrukturës së grupit kriminal të akuzuar për trafik droge, rrëmbim e pengmarrje.

Arben Kaçorri dhe Ícaro Leddy Gouveia janë sërish fqinj, por tanimë në burgun e sigurisë së lartë Monsanto, në Lisbonë, ku presin zhvillimin e hetimeve. Dyshes në fjalë u janë sekuestruar sasi të mëdha parash, disa automjete luksoze, sisteme komunikimi dhe pajisje të ndryshme kompjuterike.

“Kjo organizatë ka kryer disa krime të dhunshme që synonin të zotëronin tregjet e drogës përmes përdorimit të forcës dhe armëve. Duke pasur parasysh potencialin e madh ekonomik të organizatës, anëtarët e saj kishin masa të forta sigurie dhe vetëmbrojtjeje, përkatësisht mjete të avancuara të transmetimit të informacionit, si në nivel individual, ashtu edhe të përdorura kundër policisë”, thuhet në njoftimin e policisë portugeze.

Autoritetet besojnë se ky bashkim midis mafies ballkanike dhe “Mocro” – një organizatë që është lidhur me vrasjen e gazetarit holandez Peter R. de Vries, në korrik 2021, dhe kërcënimet me vdekje ndaj shtëpisë mbretërore holandeze dhe trashëgimtares së fronit Princeshës Catharina-Amalia – operoi, kryesisht, jashtë vendit. Trafiku ndërkombëtar i kokainës kishte si epiqendër portet e Roterdamit dhe Antwerp në Belgjikë.

Kush është Arben Kaçorri?

Sa i përket Arben Kaçorrit, emri i tij nuk ishte shumë i ekspozuar në media. Edhe pse konsiderohej si “shumë i rrezikshëm”, ai bënte një jetë të matur dhe luksoze në kryeqytetin portugez.

Kaçorri njihet më tepër si kunati i të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj, i njohur si “Mbreti i lojërave të fatit”, tashmë i zhdukur që prej gushtit 2022. Sakaq, edhe vëllai i 52-vjeçarit, Valentino, përmendet  si pjesëtar i mafies ballkanike.

Në maj të vitit 2009, Kaçorri u dënua në Itali me 21 vjet e tetë muaj burg për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Fatmir Kala, në Firence, si dhe për armëmbajtje pa leje. Dënimi u bë i parevokueshëm në tetor 2010, pasi ankimi i tij i fundit u refuzua. Autoritetet italiane, megjithatë, nuk arritën kurrë ta lokalizonin Kaçorrin në mënyrë që ai të vuante dënimin.

52-vjeçari ka përfituar edhe falje prej tre vitesh, por duhet të vuajë 18 vjet e tetë muaj burg për krimin që ka kryer. Pritet që autoritetet në Itali të kërkojnë ekstradimin e Kaçorrit.

Sakaq në Shqipëri në dhjetor të vitit të kaluar me vendim të Gjykatës së Posaçme atij i janë sekuestruar 15 pasuri që përfshinin subjekte tregtare, apartamente, toka dhe garazhe, të gjitha të vendosura në  Tiranë dhe rrethinat e kryeqytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë