Kombetarja

FSHF publikon ftesën zyrtare që i dërgoi Juventusit për Luis Hasën, lojtari zgjodhi Italinë

Gazeta Si – Federata Shqiptare e Futbollit ka qartësuar gjithçka në lidhje me çështjen e lojtarit Luis Hasa që luan për Juventusin. Ai zgjodhi të luajë për Italinë U-19 dhe pak kohë më parë u shpall kampion Europe, madje si protagonist absolut.

FSHF tregon ndërkohë ftesën zyrtare që i ka dërguar Juventusit për grumbullimin e Hasës me Kombëtaren U-21 për ndeshjet me Anglinë dhe Kosovën. Një dokument që vërteton se Federata e ka bërë punën e saj, ndërsa vetë lojtari ka zgjedhur Italinë.

Luis Hasa me fanellen e Italise. Gazeta Si, 15 gusht 2023

“Prej vitesh FSHF ka ngritur një rrjet të madh skautësh për të evidentuar lojtarët e talentuar shqiptarë që luajnë kudo nëpër botë. Ne kemi bërë dhe e bëjmë gjithmonë ftesën tonë publike për çdo shqiptar që dëshiron të luajë me fanellën e Shqipërisë. Nuk kishte sesi të mungonte një ftesë edhe për një talent të madh si Luis Hasa.

Hasa ka qënë vazhdimisht pjesë e monitorimit të stafeve tona teknike dhe është ftuar për herë të fundit zyrtarisht më 18 maj 2022, sic shikohet në shkresën drejtuar klubit të Juventusit, për të luajtur me Shqipërinë U-21 në ndeshjet zyrtare ndaj Anglisë dhe Kosovës”, – shkruhet në sqarimin e FSHF-së.

Ftesa zyrtare derguar Juventusit per Luis Hasen. Gazeta Si, 15 gusht 2023

Dera për Hasën gjithsesi mbetet e hapur te Shqipëria. “Lojtari vazhdon të jetë në planet e stafeve tona dhe dera vazhdon të mbetet e hapur, jo vetëm për Luis Hasën, por për çdo talent shqiptar që e ndjen fanellën kuqezi. Ne e respektojmë zgjedhjen e tij, do ta respektojmë gjithmonë dhe e mbështesim në rrugëtimin e tij professional”, – vazhdon sqarimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë