Përpara fillimit të ndeshjes Federata Shqiptare e Futbollit nderoi katër ish-futbollistë të Kombëtares të cilët janë tërhequr nga përfaqësimi i ngjyrave kuq e zi, Klaus Gjasula, Ermir Lenjani, Odise Roshi dhe Bekim Balaj.
Gjasula numëron 29 ndeshje me Kombëtaren, duke debutuar më 7 shtator 2019 në ndeshjen Francë-Shqipëri, ndërsa ishte pjesë e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, aty ku gjeti edhe rrugën e rrjetës për herë të parë me fanellën kuqezi në sfidën e paharrueshme Kroaci-Shqipëri, që përfundoi në barazim 2-2.
Me 9 gola të shënuar, mes të cilëve edhe ai ndaj Portugalisë, Bekim Balaj u tërhoq nga kombëtarja pas 48 ndeshjeve. Ndaj luzitanëve, ai shënoi edhe golin e parë me kuqezinjtë, duke i hapur rrugën kualifikimit të parë historik të Kombëtares në Europianin “Francë 2016”.
10 vite krenari e realizim të ëndrrës së fëmijërisë e konsideroi Lenjani prezencën në kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi zhvilloi 45 ndeshje, duke shënuar edhe 5 gola, teksa ishte prezent edhe në Europianin e Francës.
I njohur me nofkën “Raketa”, Odise Roshi ishte një tjetër futbollist që i dha fund aventurës si kuqezi. Anësori numëron 71 ndeshje dhe 5 gola, teksa ishte pjesë e finaleve të Euro 2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.