Pas kërkesës së tifogrupit Tifozët KuqeZi për të mbështetur Kombëtaren në stadium gjatë ndeshjeve kualifikuese të Botërorit, ka lëvizur edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Sekretari i këtij institucioni, Ilir Shulku, i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Kryeministrit Edi Rama dhe komitetit të ekspertëve, për të lejuar tifozët në stadium për ndeshjen me Anglinë, në masën 30%.
Nëse kërkesa miratohet, edhe pse ka shumë pak mundësi të ndodhë, në “Air Albania Stadium” do të jenë 6500 tifozë, pra 30% e kapacitetit të tij. Ndeshja me Anglinë zhvillohet më 28 mars dhe tani pritet përgjigja nga ministrja Manastirliu në lidhje me këtë çështje.
Në stadiumet tona vazhdojnë të mungojnë tifozët, madje kohët e fundit është bërë problem abuzimi me numrin e personave që mbushin tribunat VIP. Tifozët KuqeZi kërkuan me një komunikatë që organet kompetente në vendin tonë të veprojnë sipas rregullave të UEFA-s, duke sjellë në vëmendje edhe vende që kanë një problematikë më të madhe me pandeminë.
Edhe FSHF përmend në shkresën e saj zyrtare shembuj si Norvegjia, Çekia, Rusia, apo Danimarka, që kanë lejuar tifozët në stadium.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.