Asambleja e zakonshme në FSHF u zhvillua sot. Përvec anëtarëve të saj, morën pjesë edhe Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu si dhe përfaqësuesit e FIFA-s (Marco Ferri) dhe UEFA-s (Jozef Kliment). Gjatë fjalës së tij, Presidenti Armand Duka i bëri apel ministres Manastirliu që të kalojnë sa më shpejt fondet e premtuara për organizimin e Euro U17 që u zhvillua pak javë më parë në Shqipëri. Gjithashtu Duka konfirmoi kundërshtitë e tij për ndryshimet në Ligjin e Sportit (propozuar nga Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli). Për numrin 1 të futbollit në vend, ndryshimet kanë cuar në Parlament një ligj klientelist, aspak të pavarur dhe joprofesional. “I bëj thirrje për reflektim Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Komisionit Parlamentar dhe Kuvendit; që mos ta votojnë atë ligj, por të bashkëpunojmë të gjithë organizatat sportive dhe grupet e interesit për të prodhuar një paketë ligjore që t’i shërbejë sportit” tha Armand Duka në fjalën e tij.

Në pikën e fundit të rendit të ditës, anëtarët e Asamblesë votuan për pezullimin pa afat të marrëdhënieve juridike FSHF-KOKSH, deri në momentin që:
– Gjendja e ligjshmërisë të rikthehet
– Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të zbatohet plotësisht
– KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e vet dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes së sportit
Më herët nga Aldi Topçiu (Drejtori Administrativ) u konfirmua se – “FSHF do të vazhdojë punën për konsolidimin e Final Four si produkt premium dhe si platformë forcimi sportive dhe komerciale”. Konfirmim që shoi të gjithë dyshimet e derisotme për ndërprerje të formulës aktuale të zhvillimit të Kategorisë Superiore dhe kthimin në formatin e vjetër. Gjithashtu u përjashtua edhe Shoqata e Mjekësisë Sportive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.