Futboll

FSHF bllokon regjistrimin e lojtarëve të rinj për Tiranën, Dinamon dhe Skënderbeun

Gazeta Si – Tre klubeve të Superiores, Tiranës, Dinamos dhe Skënderbeut, u është bllokuar për momentin e drejta e regjistrimit të lojtarëve të rinj për tre periudhat e ardhshme të merkatos. Shkaku është i njëjtë për të tre këta klube: nuk kanë ekzekutuar vendimet e mëparshme të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve.

Kjo do të thotë se klubet e përmendura më sipër duhet të ekzekutojnë vendimet, që kanë të bëjnë me detyrime të pashlyera për çështje të humbura në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF-, që të mund të federojnë lojtarë të rinj.

Tirana ka dy vendime të paekzekutuara, kurse Dinamo dhe Skënderbeu nga një. Klubi korçar dhe ai i Tiranës ndërkohë kanë marrë gjobat e radhës edhe për sjelljen e tifozëve në ndeshjen e fundit mes tyre.

Vendimet kryesore të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës
Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr.5, datë 09.07.2021 dhe vendimit nr.5, datë 02.06.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

FC Dinamo, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr.2, datë 06.03.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr.1, datë 10.06.2022 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, vendoset ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë