Drejtësia

Fshehu apartamentin në Vlorë / SPAK përfundon hetimet për ish-kryebashkiakun Fatos Tushe, dosjen e çon për gjykim

SPAK ka përfunduar hetimet për ish kryetarin e bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe ka çuar dosjen për gjykim.

Ish-kryebashkiaku socialist akuzohet për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e fshehjes dhe të deklarimit të rremë.

Në njoftimin zyrtar, SPAK thotë se i pandehuri Fatos Tushe, ish – kryetar i Bashkisë Lushnje, ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave, si dhe ka kryer fshehje të pasurisë, interesave dhe shpenzimeve.

“Në deklaratën e interesave private periodik/vjetor të viteve: 2017, 2018, 2019, 2020, apo në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra, të vitit 2021, nuk ka deklaruar asnjë shpenzim të kryer për blerje/porositje të apartamentit me sipërfaqe totale 82.33 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, apo dhe për punime dhe mobilime, të cilat në shumën reale totale (investimi vlerë 2,262,000 Lekë). Hetimi ka provuar se i pandehuri Fatos Tushe edhe pse është pronar “de facto” i apartamentit në qytetin e Vlorës, në Lungomare në vazhdimësi e ka fshehur këtë pasuri. Aktualisht ndaj kësaj prone është vendosur sekuestro preventive. Po ashtu në deklaratën e interesave private periodik/vjetor të viteve: 2018, 2019, 2020, apo në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra, të vitit 2021, nuk ka deklaruar huanë/borxhin e marrë nga shtetasi I. L. sipas deklaratës noteriale. Fatos Tushe në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra nuk ka deklaruar investimin e kryer për blerjen e dy automjeteve, model “S350CDI 4MATIC” (me vlerë të paguar 39.620 Euro) dhe “C200CDI”, marka “Mercedes Benz” (me vlerë të paguar 7.290 Euro), gjithsej në vlerën 46.910 Euro”, thuhet ne njoftimin e SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë