Drejtësia

Fshehje të ardhurash e pastrim parash, Krimi Ekonomik kallëzon ish-deputetin Myslim Murrizi. Nisin hetimet

Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe opozitës parlamentare më pas, Myslim Murrizi, është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës me akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave.

Përmes firmës së tij, dyshohet se ai nuk ka deklaruar pranë ILDKPI-së 60 mijë euro dhe ka përdorur transaksione të dyshimta, nga kompania “Justiniani” tek “Murrizi 2009”. Denoncimi është bërë nga sektori i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Mylsim Murrizi, sipas policisë, ka fshehur të ardhurat duke mos i deklaruar pranë ILDKPI-së, ndërsa akuzohet edhe për dhjetëra transaksione bankare të pajustifikuara që shkojnë në shifrën prej 515 mijë euro.

Ish-deputeti Murrizi, këto veprime i ka bërë me kompaninë “Murrizi 2009” dhe me individë të ndryshëm. Koha e transaksioneve që policia ka verifikuar si të pajustifikuara, daton qysh prej vitit 2010 e në vijim.

Po ashtu, sipas policisë, Murrizi është dënuar në 14 shtator 2006 me 3 vite burgim për akuzën e mitmarrjes, dënim i cili është konvertuar në shërbim prove. Në relacionin policor që ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, kërkohet ndjekje penale për ish-deputetin demokrat.

Që prej muajit shtator 2021, Myslim Murrizi, nuk është më deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa tashmë e shikon veten të denoncuar nga Policia e Shtetit për dy vepra të ndryshme penale.

Murrizi mohon akuzat: Kam deklaruar gjithçka

Në një deklaratë për mediat, Murrizi i cilëson si të pa vërteta akuzat e bëra ndaj tij pas padisë nga Policia e Shtetit.

“I kam deklaruar të gjitha pasuritë e të ardhurat. Nuk jam i dënuar. Gjykata e Lartë ka dhënë pafajësisë. Njoftimin e kam marrë sot përmes mediave, nuk kam dijeni nga hajdutët e krimit ekonomik që helmuan dynjanë me Call Centera, këtyre që u vijnë bananet me pluhur të bardhë, këtyre që u vriten njerëzit mes Tiranës dhe mes Bllokut”, – ka thënë ai.

Teksa tregon me emra ata që sipas tij e kanë vjedhur shtetin në 30 vjet, Murrizi nuk kursen akuzat dhe ndaj kupolës së Policisë së Shtetit.

“Po të mi japin këta që kanë vjedhur në 30 vite para, por sidomos në 20 vitetet e fundit nga Rama, Basha, Damiani, kush të ketë qejf ua pastroj unë, por nuk besoj se më japin mua. Desha të njihem me materialin e këtyre fundërrinave, ish-sigurimsave që drejtojnë policinë, nga Tonin Vocaj tek Rebani Jaupaj dhe çdo lloj llumi që drejton kupolën e policinë e shtetit, të më thonë për çfarë bëhet fjalë”.

Në ditët në vijim pritet që Prokuroria e Tiranës të thërrasë ish-deputetin për të dhënë deklarime në lidhje me transaksionet që konsiderohen fshehje dhes pastrim parash nga krimi ekonomik.

Murrizi, njeriu i denoncimeve në SPAK

Ish-deputeti i Qarkut të Lushnjës, ka qenë një nga më aktivët gjatë kohës kur ishte në Parlament, pasi ka depozituar në SPAK kallëzime të ndryshme penale, sipas tij të paligjshme dhe në forma abuzimi.

Gjatë kohës kur ishte deputet, në emër të opozitës parlamentare, Murrizi ishte i pari që denoncoi skandalin me tenderin e uniformave të policisë prej 2.8 mld lekësh.

Në gusht 2020, Murrizi çoi në SPAK dy tenderë në Bashkinë e Lushnjës: njëri për tenderin e ujitjes së në fermat e Lushnjës dhe tjetri për lopët.

“Ftoj që të shikohet se sa është çmimi që janë sjellë lopët nga Danimarka dhe Holanda. Po ashtu edhe për vaditjen me pika. Nuk besoj se shqiptarët kanë luksin, cilido qoftë zyrtar, që të tallen me 11 mln euro. Mora përsipër të bëjë depozitimin penal për këta dy tendera. Abuzuesit e parave publike duhet të hetohen dhe është gjykata ajo që e vendos këtë”, tha asokohe ai. Në dhjetor 2020, Murrizi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese, Kodin e ri Zgjedhor.

Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare që drejtonte ish-deputeti, ankimoi nenin 163 të Kodit të ri Elektoral që lidhej me ndarjen e mandateve.

Po ashtu, pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Murrizi denoncoi në SPAK numëruesit, të cilët sipas tij kanë ndërhyrë tek fletët e votimit duke i nxjerrë të pavlefshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë