Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka kthyer edhe njëherë në SPAK hetimin për ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, duke i dhënë edhe një muaj e gjysmë kohë Prokurorisë së Posaçme të kryejë verifikime.
Gjyqtarja paraprake Flora Hajredinaj e ktheu dosjen dhe nuk pranoi ta gjykojë në themel, duke deklaruar se hetimi ka problematika.
SPAK ka kërkuar gjykimin e Lulos për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë.
Më 3 gusht të 2021, SPAK deklaroi dërgimin në gjyq të dosjes së ish-gjyqtarit të Kushtetueses, i cili akuzohej se kishte kryer deklarim të rremë të pasurisë, duke fshehur disa prej aseteve që ka pasur ndër vite në zotërim.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi më 23 mars 2018 nga detyra gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo. Ai nuk e justifikonte pasurinë e deklaruar mes të cilave flitej dhe për një shumë 480 mijë dollarë kanadeze.
Një emër i njohur në sistemin e drejtësisë, Lulo është eliminuar nga Vettingu në shkallën e parë dhe të dytë për shkak të vendimeve të diskutueshme mbi persona të lidhur me krimin.
Mes tyre, është edhe ajo ajo e ekstradimit të Almir Rrapos drejt SHBA-së. Lulo vendosi të rrëzojë dy gjykatat më të ulëta, duke mos e ekstraduar Rrapon, i cili do të gjykohej në SHBA për vrasje.
Një tjetër çështje e rëndësishme në duart e Fatos Lulos, ishte ajo e uljes së dënimit për Edmond Begon, alias Manoli Bega.
Nga 21 vite burg që ishte dënuar në Itali, Lulo ia uli dënimin Begos me 4 vite e 4 muaj në Shqipëri, dënim, të cilin nuk e kreu asnjëherë.
Më 28 prill, SPAK vendosi sekuestrimin e një dyqani me sipërfaqe 172 m2, në rrugën e Durrësit në Tiranë në pronësi të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




