Treg

Fshati ku pas tij nuk ka më gjë dhe mbijetesa është ‘stil’ jete

Sonila Banushi sëbashku me të shoqin Qerretin dhe mikun e tyren Berti Kuci nga Progonati zotërojnë 400 krerë dhenë e dhi në Golëm të Gjirokastrës.
Ata thonë njëzëri se të merresh me blegtori është gjëja e fundit që të shkonë në mend për të mbijetuar për shkak të kushteve që ka fshati dhe mungesës së theksuar të çdo lloj infrastrukture.

Tre miqtë që kanë vendosur të punojnë sëbashku në blegtori shpjegojnë se punojnë me radhë 24 orë për arsye se i ruajnë bagëtitë nga ujqërit dhe vjedhja e njerëzve.
Madje atë mëngjes që biseduam, Sonila tregoi që gjatë natës i kishin vjedhur salcën e sapo bërë pasdite.

Dita e zotërinjve nis me kullosjen e dhenëve dhe dhive në stan, i cili ndodhet mbi 1100 metër mbi nivelin e deti. Mandej procesi vijon me mjeljen e bagëtive, shpënien e tyre në strehë për të pushuar nga vapa, përpunimin e qumshtit në djathë e salcë, ngarkimin e mushkës dhe kalit me produktet për ti dërguar në shtëpi e pasdite nis e njëjta rutinë, deri sa ngryset kur stafeta e natës ti kalojë njërit prej ortakëve për të ruajtur bagëtitë.

Çifti Banushi dhe zoti Kuci thonë se nga shteti nuk janë rimbursuar asnjëherë, por përveç kësaj dhe kushteve krejtësisht të papërshtatshme për të punuar, vështirësia më e madhe qëndron tek kullotat dimërore.

“Nuk dimë ku jemi në qiell apo tokë, nuk ka shtet. Ne në dimër nuk mund të qëndrojmë më këtu sepse bie dëborë. Detyrohemi që zhvendosemi me gjithë bagëtitë në kullota dimërore; Gjirokastër, Dropull, Delvinë a Sarandë. Zakonisht çmimet e kullotave dimërore janë 1000 lekë për krer për gjashtë muaj. Por duke qenë se korrupsioni është në majë, sekserët e bashkive i japin kullotat dimërore edhe me 3 mln lekë. Ne jemi në kushtet e mbijetesës. Blegtoria në Golëm është gjëja e fundit që të shkon në mendje të bësh për të mbijetuar. Por nuk ka asgjë tjetër me çfarë të merresh që të heqësh dorë”- shprehet Kuci.

Ata janë të shqetësuar se dimri po afron dhe nuk dinë nëse do të arrijnë të gjejnë me një çmim të leverdisshëm një kullotë dimërore apo do të jenë në qiell të hapur dhe në rrezik. Pasi siç e shjegojnë të tre, kontratat për kullotat dimërore janë 6 mujore, afatshkurtra e për ta përpos stresit të mungesës së infrastrukturës, vështirësive pafund, u shtohet edhe stresi i vështirësisë së gjetjes së kullotës dimërore për të strehuar bagëditë dhe veten.

Sonila Banushi

Sonila tregon se me atë që prodhojnë bagëditë e tyre mezi të mbijetojnë. “Paguajmë ushqimin e bagëtive, qiranë e kullotave, por edhe ujku dhe hajduti kanë pjesën e tyre (qesh)”, thotë ajo.

Periudha më e mirë për prodhim qumshti është ajo kur ka më shumë jeshillëk; prill-maj ku Sonila tregon se prodhojnë 40-60 litra në ditë.

Sonila dhe Qerreti kanë dy djemë, njëri prej tyre është diplomuar në Tiranë dhe tjetri pret të nisë studimet po në kryeqytet. Por Sonila është pesimiste nëse diploma do ti hyjë në punë djalit të vogël, pasi i madh pas studimeve është kthyer në fshat dhe nuk ka me se merret.


Golëmi numëron 10-15 fermerë, por gjendja është e njëjtë për të gjithë. Blegtoria është opsioni i vetëm për banorët e këtij fshati për të mbijëtuar.
Fshati ka 40 familje në verë dhe 7-10 të tilla në dimër, pasi në stinën e ftohtë është e pamundur të jetosh aty.

Qendra e fshatit

Golëmi ka patur probleme me energjinë elektrike, teksa problematika me mungesën e ujit është e qëndrueshme, gjë që vështirëson akoma më tej mbijetesën në fshat.

Në Golëm nuk ka valë telefoni, me përjashtim në një hapësirë të vogël në qendër të fshatit pranë një rrapi. Po ashtu rruga malore e paasfaltuar është e papërshkueshme me makinë familjare. Ajo mund të përshkohet në gati 8 km të saj vetëm me 4X4.

Golemi është pjesë e krahinës së Kurveleshit dhe shtrihet në pjesën jugperëndimore të saj. Është fshati me i largët dhe më i larti në Gjirokastër. Lartësia prej mbi 1100 m mbi nivelin e detit e bën edhe më të lartin në Kurvelesh.

Golëmi kufizohet me 6 fshatra të 4 rretheve: nga Jugu e juglindja përkatësisht me Zhulatin dhe Kolonjen e rrethit Gjirokastër; nga veriu me Progonatin dhe Gusmarin e rrethit Tepelenë ; nga perëndimi me Kuçin e rrethit Vlore dhe nga jugperëndimi me Fterren e rrethit Sarandë.

Është i vendosur në një fushë të vogël, i rrethuar me një kurore malesh të lartë. Vargu i maleve ndahet me dy gryka të thella, plot me përrenj e gremina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë