Nga Gazeta ‘Si’- Teksa ishte duke u kthyer nga Vlora, aty ku zhvilloi takimin e radhës me drejtuesit lokalë, kryeministri Edi Rama u fut në një lidhje live në rrjetet sociale duke denoncuar një vendim të një prokuroreje për një ndërtim në Theth.
Rama u shpreh se është lejuar një ndërtim në zemër të Thethit në shkelje totale të ligjit, por prokurorja Gjeli ka dalë me vendim se nuk ka vepër penale.
Rama shprehet më tej se këtë çështje do ta përcjellë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
“Prokurore zonja Gjeli, që më la pa fjalë. E ndave vendimin me disa të tjerë për të kuptuar se çfarë nuk arrija dot unë të kuptoja, por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë. Po lexoj si arsyeton zonja Gjeli, prokurore e Republikës së Shqipërisë, e paguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet të mbrojë qytetarët nga individë si ai që ka plagosur Thethin në cenim total të çdo lloj norme bashkëjetese dhe në shkelje flagrante të një sërë ligjesh, pasi aty është një zonë e mbrojtur.
Është e pabesueshme deri në kufijtë e të llahtarshmes. Një prokurore para një krimi mjedisor, të një krimi ndaj zone ligjërisht të mbrojtur, të zgjatet në një jerm, një përrua psikik i pashtershëm, të mos fillimit të një çështje penale. Ndërkohë, të gjithë ata banorë ndihen të përdhunuar nga një individ, i cili në mes të Thethit ka ngritur fshatin e vogël Turistik në mes të Thethit, ndërkohë kjo nuk përbën vepër penale për zonjën Gjeli.
Ka vendime skandaloze të prokurorëve. Unë i kam kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të veprojë menjëherë ndaj zonjës Gjeli, e cila ka lënë në baltë qytetarët e Republikës, e cila është e padenjë për t’u paguar si prokurore, kam kërkuar që çështja e saj t’i përcillet Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, tha Rama
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




