Politike

Pas NYT, Edi Rama e thotë edhe në OKB: Mbështesim transformimin e Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran në Tiranë

Pas intervistës në NYT, Kryeministri Edi Rama foli mbrëmjen e së dielës në OKB për transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës.

"Ndërkohë që Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por i ka dhënë botës shembuj të mirë, që është çuar për të mbrojtur humanizmin tonë të përbashkët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në të vetmin vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas lufte, se sa para saj. Komuniteti hebre u rrit 20-fish gjatë holokaustit falë familjeve muslilmane e të krishtere, që i mbrojtën nga nazistët. Më së fundi, pas shkatërrimit e rënies së Kabulit në duart e talibanëve 3 vjet më parë, ne strehuam disa mijëra afganë që në të kundërt do të kishin përfunduar në rrethin e nëntë të Ferrit!

Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Tereza, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin. Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë e ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë!", tha Rama

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje shteteve të botës të ndërmarrin më shumë veprime e të mos mjaftohen te fjalët, për të mirën e njerëzimit, që sipas tij, kërcënohet nga një rrezik i madh.

Nga selia e OKB, në Nju-Jork, ku mbajti fjalën në emër të Shqipërisë në Samitin për të Ardhmen, Rama kritikoi organizatën. “Duhet të kemi kurajën të pranojmë se së fundmi veprimet tona shumë shpesh kanë qenë larg pritshmërive të popujve që deklarojmë se u shërbejmë”, tha kryeministri.

“Jemi buzë një rreziku të jashtëzakonshëm dhe askush nuk është i sigurt. Shqipëria mbështet plotësisht Paktin për të Ardhmen dhe të gjitha angazhimet e saj. Por ato nuk mjaftojnë. Fjalët duhet të transformohen në vepra”, shtoi Rama duke përmendur rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore, që ka nisur të diskutohet prej fillimit të luftës në Ukrainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë