Shendet

Fruthi bën kërdinë, 51 të prekur në 1 muaj. Opozita: Epidemia u fsheh

Në raportet e fundit nga Instituti i Shëndetit Publik është dhënë alarmi për fruthin, duke përcaktuar se nga data 1 janar deri më 5 shkurt numri i të prekurve në vend ka shkuar deri në 51. Grupmoshat më të prekura janë fëmijët në moshën 2 vjeç, ndërkohë që janë identifikuar 3 vdekje në rang kombëtar. Në Komisionin e Shëndetësisë që u mblodh ditën e sotme për sa i përket kësaj çështjeje, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë raportuan masat e marra nga institucionet shëndetësore.

Silva Bino, shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, raportoi se janë konfirmuar 1367 raste me fruth që nga fundi i vitit të kaluar deri tani.

Shefja e Debartamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino

“Nga këto raste kemi pasur tre vdekje në 2018 dhe 1 vdekje në janar 2019. Grupmosha më e prekur ka qenë grupmosha nën 2 vjeç dhe më pas grupmosha 16-20 vjeç, por shumë më pak e prekur. Rrethet më të prekura janë Tirana, e cila është kryesisht burim infeksioni, Kukësi, Lezha, Durrësi dhe Vlora. Qoftë në Tiranë apo rrethe kemi pasur importim të rasteve. Pjesa më e madhe e fëmijëve, 80% e tyre, kanë qenë të shtruar në spital. Pjesa e të rriturve, 40% janë shtruar në spital. Epidemia pikun e vet e ka pasur në mars dhe prill dhe pastaj numri i rasteve ka ardhur duke u zvogëluar. Në gusht nuk kishim fare raste dhe patëm një ringritje të rasteve në fund të nëntorit. Rastet e fundit janë pothuajse 90% të lidhura me kujdesin spitalor në QSUT”, shprehet Bino.

Ndërkohë që Petrit Vasili në cilësinë e kryetarit të komisionit, por edhe si njohës i fushës, ka ngritur shqetësimin për çështjen e mbulimit me vaksina dhe mosdeklarimin e epidemisë.

“Boshllëku i vaksinimit është konsideruar një nga fajtorët e këtij rishpërthimi që OBSH e quan më të lartin në 10 vitet e fundit. Nuk kam parë asnjë transferim fondi dhe asnjë mobilizim fondi për blerje të sasive ekstra të vaksinave. Në momente epidemie është detyrim të blesh vaksinë që tërë fashave që ua këshillon si mjet i domosdoshëm ta kenë këtë vaksinë. Cila ka qenë sasia e fondeve të mobilizuara për përballimin e epidemisë? Së dyti, nuk ka një deklarim publik, ditën e deklarimit të gjendjes së epidemisë,” tha ai.

Sipas Vasilit në të gjitha qendrat shëndetësore flitet për të bërë check up-in, ndërkohë që qytetarët nuk janë të gjithë të vaksinuar nga fruthi dhe mungesa e vaksinave në komunitet ka arritur deri në 70 për qind nga 93 që ka qenë në vitin 2017. Ndërkohë, përfaqësuesit e ISHP janë kundërpërgjigjur duke thënë se janë blerë 60 mijë doza shtesë të vaksinave, në mënyrë që gjendja të jetë nën kontroll. Një ndër faktorët kryesorë sipas tyre për mosvaksinimin e plotë të popullsisë është edhe frika e përhapur se nëpërmjet vaksinës së fruthit mund të shkaktohet autizmi. Një ide e cila sipas shkencëtarëve ndërkombëtarë nuk është e saktë dhe thjesht është e aluduar nga mjekët në informacione të pabazuara shkencërisht.

Debati sot në Komisionin e Shëndetësisë

Grida Duma është shprehur se çështja më e rëndësishme për sa u përket situatave epidemike është fakti i parandalimit. Ajo thotë se nëse duam të kemi institucione profesionale, duhet që të dimë saktësisht me anë të një studimi se sa është numri i personave të rrezikuar dhe se sa jetë njerëzish janë humbur. “Sa është kryer një sensibilizim i njerëzve për të parandaluar këtë situatë?” pyet Duma. Sipas Binos brenda strukturave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë ngritur komitete për të analizuar situatat epidemike, gjendjen e vaksinave, nëse janë kryer vaksinat për grup moshën 1-5 vjeç. “Krahas vaksinimit rutinë, ISHP ka kryer edhe vaksinim edhe për disa grupe të tjera në përkatësinë e datëlindjeve 1970-80, fëmijëve që nuk e kanë kryer vaksinën në kohë, duke nxitur komunikimin derë me dere. Gjithashtu, është kryer dhe evidentimi me dy doza vaksine për të gjithë fëmijët, komuniteteve rome dhe pjesës së popullatës që ka pasur vetëm një dozë të vaksinës.

Ndërkohë sensibilizimi është bërë në mënyra të ndryshme nga, që nga fletë palosjet deri te komunikimet e drejtpërdrejta nga mjeku i familjes dhe i institucioneve”, shton ajo. Gjithashtu është bërë me dije nga pjesëmarrësit se ISHP ka marrë masa kontrolli, duke izoluar personat e prekur në pavijone të caktuara, duke vaksinuar personelin dhe duke kryer trajnime të vazhdueshme me mjekët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë