Nga Gazeta ‘Si’-Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI) Ali Ahmeti në emër të Frontit Europian sot akuzoi ashpër subjektet politike shqiptare të cilat pritet të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, se kanë shkelur legjitimitetin e votës së lirë dhe Marrëveshjes së Ohrit.
Për Frontin Europian sipas Ahmetit është e papranueshme që pjesë e qeverisë të bëhet koalicioni që ka fituar numër më të vogël të mandateve.
“Iniciativa jonë për Frontin Europian është mirëpritur dhe mbështetur nga qytetarët e vendit. Fronti Europian ngadhënjeu si koalicion fitues në zgjedhjet presidenciale me diferencë prej 40.000 vota, ndërsa në ato parlamentare me mbi 31.000 vota dhe 6 deputetë më tepër. Fronti Europian mori 19 deputetë, ndërsa opozita 13 deputetë. Fronti Europian doli ngadhënjyes në 20 komuna ku jetojnë dhe votojnë shqiptarët dhe komunitetet tjera ndërsa opozita në 8. Fronti Europian doli forca e dytë në shtet, që ndodh për herë të parë në historinë e vendit. Këto rezultate u cenuan dhe vazhdojnë të cenohen nëpërmjet një inxhineringu zgjedhor në sytë e gjithë opinionit, vendor, rajonal dhe ndërkombëtar”, deklaroi Ali Ahmeti.
Ahmeti në një konferencë për shtyp ftoi qytetarët që t’i bashkëngjiten Frontit Europian në betejën për respektimin e legjitimitetit të votës së lirë.
“Marrëveshja e Ohrit nuk lexohet njësoj nga të gjithë personal politik, apo publik. Ne nuk lejojmë që kjo marrëveshje as të cenohet e as të shkelet. Njerëzit na pyesin se pse ne votojmë kur dikush tjetër vendos mbi vullnetin tonë dhe përcaktimet tona…qytetarët na pyesin se çfarë kuptimi ka demokracia kur nuk respektohet legjitimiteti, kur vendos partia më e madhe maqedonase.
Kjo mendësi na kthen prapa dy dekada kur nuk respektohej vullneti i lirë i komuniteteve dhe diskriminoheshin. Legjitimiteti është shtylla e demokracisë, andaj ne po nisim betejën e respektimit të Marrëveshjes së Ohrit që bazohet në legjitimetin dhe të drejtën zakonore për përfaqësim nga ata që e kanë legjitimitetin e komuniteteve. Kur respektohet fryma e MO-së shoqëria prosperon, por kur nuk respektohet kthehemi në sisteme dhe kohëra të tjera që bashkërisht i kemi braktisur.
Prandaj mosrespektimi i legjitimetit është poshtërsim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve”, tha Ahmeti.
Ai deklaroi se sipas tij “këtë poshtërsi po e mundësojnë edhe ca që firmosën deklaratë të përbashkët me ta e që deklaruan se nëse humbasin me një votë e një deputet më pak do të tërhiqen.”
Ahmeti nuk shpalosi hapat e ardhshëm të Frontit Europian dhe u shpreh shkurt se opinioni do të njoftohet me kohë për hapat e ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.