Biznes

Frikë për një tjetër arbitrazh? Qeveria po punon me Avokaturën e Shtetit për t’u tërhequr nga koncesioni i pullave fiskale

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave Ervin Mete njoftoi nga Kuvendi mbylljen e dy kontratave koncesionare në vend, atë të markimit të karburanteve dhe pullave fiskale.

Gjatë fjalës së tij Mete tha se qeveria ka që dhjetorin e shkuar që po punon për të dalë nga kontrata e koncesionit të pullave fiskale, e cila përfundon në këtë fundviti.

Ministri theksoi se shërbimi do t’i kalojë qeverisë dhe për tërheqjen e kontratës ka aktivizuar dhe Avokaturën e Shtetit, e cila ka për detyrë të mbrojë interesat financiarë të shtetit shqiptar.

Kjo është “goditja” përfundimtare e qeverisë ndaj SICPA, koncesionarit të pullave fiskale, kontrata e së cilës përfundon në 2021-shin. Pas kësaj, qeveria e rinovoi atë deri në dhjetor 2023 dhe më pas deri në dhjetor 2024.  

Tarifat e larta të shoqërisë u bënë shqetësim për biznesin dhe më pas vetë qeverinë, por sipas kontratës, nuk parashikohet mundësia e rishikimit të tarifës, që duket se ka orientuar ministrinë drejt shkëputjes.

Mete tha se kur pullat fiskale të merret në dorë nga Shtypshkronja shtetërore e Letrave me Vlerë, tarifat e saj do të jenë më të ulëta se të koncesionarit.

Më tej ministri tha se në gusht mbyllet koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi do t’i kalojë Doganave.

“Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, ne kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifës së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit” njoftoi ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë