Bota

Frikë nga tërmetet, 4 ditë radhazi lëkundje në Santorini. Turistët dhe banorët braktisin ishullin (foto)

Frikë edhe mes banorëve dhe punëtorëve sezonalë të ishullit grek, të cilët kanë mësyrë agjencitë e udhëtimit për të blerë një biletë avioni ose një vend në një traget

Gazeta Si – Turistët, banorët dhe punonjësit sezonalë të Santorinit kanë mësyrë në agjencitë e udhëtimit dhe kioskat e portit në kërkim të biletave të avionit apo trageteve për t’u larguar nga ishulli, për shkak të valës sizmike që ka tronditur Greqinë prej katër ditësh me radhë.

“Ne kemi pasur tërmete më parë, por kurrë diçka të tillë. Është një ndjenjë ndryshe”, – komentoi Nadia Benomar, një udhërrëfyese marokene që ka jetuar në ishull për 19 vjet.

Ajo mban në dorë një biletë trageti të sapo blerë për në ishullin e afërt të Naxos. “Më duhet të largohem për disa ditë, derisa gjërat të qetësohen”, – tha ajo.

Me qindra persona dhe turistë të tjerë po bëjnë si ajo, duke qëndruar në radhë për tragetet dhe aeroplanët.

Aktiviteti sizmik, i cili filloi më 24 janar, është intensifikuar që nga e shtuna e kaluar: mëngjesin e së dielës ndodhën disa lëkundje, duke përfshirë një me magnitudë 4.9 gradë të shkallës Rihter, në orën 11:29 me orën lokale, me epiqendër në zonën detare 25 km në jugperëndim të Amorgos, sipas Institutit të Gjeodinamikës të Observatorit Kombëtar të Athinës.

Një mesazh nga Mbrojtja Civile paralajmëroi banorët e Santorinit në celularët e tyre për rrezikun e rrëshqitjes së dherave, duke raportuar se aksesi në plazhet e Ammoudi, Armeni dhe porti i vjetër i Firës, është i ndaluar.

Një tjetër mesazh ka mbërritur te banorët e ishujve Ios, Amorgos dhe Anafi për të informuar qytetarët për “aktivitetin e zgjatur sizmik”, duke i ftuar ata të qëndrojnë vigjilentë.

Pra, prej katër ditësh, veçanërisht ishulli i Santorinit është subjekt i një vale sizmike, me lëkundje të vazhdueshme, madje çdo 5 minuta, me intensitete të ndryshme.

Kështu, qindra njerëz, qytetarë dhe turistë, vendosën të largoheshin nga ishulli grek, duke mbushur tragetet dhe avionët, ku radhë të gjata dallohen në kioska për të blerë bileta.

Me kërkesë të Ministrisë Greke të Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, kompania ajrore kombëtare greke “Aegean”, ka planifikuar shtimin e dy fluturimeve shtesë midis Athinës dhe Santorinit, për të lehtësuar udhëtimin. Sipas ekspertëve, aktiviteti sizmik mund të zgjasë për javë të tëra.

“Ka njerëz që kanë frikë, është e kuptueshme. Ikin ata që nuk kanë detyrime imediate. Mbi të gjitha po ikin punëtorët e huaj të ndërtimit dhe disa nga ata pak turistë që kemi në ishull, turistë që përfitojnë nga dimri paketat me kosto të ulët”, – shpjegoi Antonis Iliopoulos, pronar i tre hoteleve dhe president në largim i Shoqatës së Hotelierëve të Santorinit.

Shumë vizitorë që po planifikonin të zbarkonin së shpejti në ishull po mendojnë se çfarë të bëjnë pas situatës së fundit.

“Gjatë fundjavës morëm telefonata nga operatorë turistikë dhe turistë, veçanërisht amerikanë, duke na kërkuar informacion për situatën dhe hapat e ardhshëm”, shtoi hoteleri. Banorët e tjerë thanë se ishin të gatshëm të merrnin rrezikun dhe të qëndronin duke sfiduar tërmetin.

Restauratori Yiannis Fragiadakis, i cili ishte larg, tha se u kthye në Santorini të dielën, pavarësisht lëkundjeve.

“Unë nuk kam frikë. E di që njerëzit janë shumë të shqetësuar dhe po ikin dhe kur mbërrita në port, ishte mbushur me njerëz, si në verë, – tha Fragiadakis. – Kam ndërmend të qëndroj dhe shpresoj që restoranti do të rifillojë biznesin në tre javë”.

Sizmiologët grekë vlerësojnë se ndodhen përballë dy skenarëve. Ose do të vazhdojë për disa ditë me radhë, ndoshta edhe javë, kjo sekuencë e gjatë e tërmeteve deri në magnitudë 4.9 – 5; ose do të ketë një tërmet më të fortë me magnitudë 5.5 deri në 6, që do të zbusë më pas edhe situatën duke çliruar energjinë e akumuluar.

Tërmeti me magnitudë 6 konsiderohet i fortë dhe ekstrem. Frikë ka patur edhe për cunami, për shkak se të gjithë tërmetet janë me epiqendër në det.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë