Bota

Frikë nga kërcënimi rus, Gjermania: Duhet të jemi gati për luftë brenda vitit 2029

Gazeta Si – “Ne duhet të jemi në gjendje të përballemi me një luftë deri në vitin 2029″, – u shpreh ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, duke nënvizuar se “nuk duhet të mendojmë se Putini do të ndalet në Ukrainë”.

“Në një skenar serioz, ne kemi nevojë për gra dhe burra të aftë për të mbrojtur veten dhe se ata mund ta mbrojnë këtë vend. Ne duhet të veprojmë si pengesë për të mos lejuar që më e keqja të ndodhë. Besoj se forma të reja të shërbimit ushtarak janë të nevojshme dhe së shpejti do të paraqesim propozime” edhe në lidhje me formularët e detyrueshëm.

Që në nëntor, Pistorius kishte identifikuar “kapacitetin luftarak” ose “të qenit gati për luftë” si një prioritet për t’u ndjekur operacionalisht në politikën gjermane të mbrojtjes.

Vetëm sot qeveria e Berlinit nisi një strategji të re të mbrojtjes në rast krizash dhe konfliktesh, e cila përfshin “masat dhe strukturat e nevojshme për të garantuar pavarësinë dhe sovranitetin e Gjermanisë”.

Udhëzimet sigurojnë që të gjithë aktorët kryesorë – nga forcat e armatosura, te organizatat e shpëtimit dhe autoritetet e mbrojtjes civile – mund të luajnë rolet e tyre në kohë krize.

“Ne fokusohemi në sigurinë e integruar. Të gjitha nivelet shtetërore duhet të bashkëpunojnë ngushtë”, – tha ministrja e Brendshme gjermane, Nansi Faeser.

“Ne kemi ndërthurur ngushtë mbrojtjen ushtarake dhe civile”, nënvizoi Pistorius, duke iu referuar “një situatë kërcënimi të rënduar: në hapësirën kibernetike, me dronë mbi pronat e forcave të armatosura, fushata dezinformuese dhe sabotazhe klasike”.

Një “plan operacional për Gjermaninë” që po hartohet aktualisht duhet të përcaktojë “kush duhet të marrë përsipër detyrat në çdo skenar krize”.

Udhëzimet e përgjithshme të mbrojtjes të miratuara sot zëvendësojnë rregulloret përkatëse të vitit 1989.

Si risi kryesore, ministritë theksojnë vëmendjen ndaj kërcënimeve nga hapësira kibernetike dhe luftës hibride nën pragun e një sulmi ushtarak.

Për më tepër, nënvizohet edhe roli i Gjermanisë, si një “qendër” për vendosjen e trupave të NATO-s në zemër të Evropës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë