Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka angazhuar një kompani amerikane për lobuar në Senatin dhe në Kongresin amerikan për të sqaruar keqinformimet dhe dënimin ndaj tij nga Gjykata. Për të mundësuar këto kontakte, Tahiri ka pajtuar kompaninë e lobimit ‘Stone Strategic Solution (SIII)’ e sipas Radio Europa e Lirë është raportuar te Departamenti i Drejtësisë, bazuar në legjislacionin e njohur si Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Jashtëm (FARA).
Qëllimi i kësaj kontrate në një vlerë 20 mijë dollarë amerikanë është për të komunikuar me “komunitetin politik dhe atë të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara”. Sipas dokumentacionit të regjistuar në FARA, ish-ministri Tahiri ka angazhuar kompaninë amerikane për ta ndihmuar në “komunikimet me anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Departamentin e Shtetit, Departamentin e Drejtësisë dhe komunitetin e inteligjencës, në lidhje me dorëheqjen e tij nga qeveria dhe çështjet që ndërlidhen me betejën e tij ligjore në Shqipëri”. Në dokumentacion, mes tjerash, përmenden edhe “fushatat e keqinformimit dhe pretendimeve të rreme në media, që në shënjestër kanë zotin Tahiri”.
Kompania SIII ka ngritur së fundi edhe një seli në Bukuresht të Rumanisë, është angazhuar nga Tahiri më 14 janar, 2020, për një periudhë tremujore, deri më 14 prill, 2020, me mundësi zgjatjeje. Në këtë dokument prej 11 faqesh theksohet se Tahiri, shtetas privat, që nuk përfaqëson ndonjë institucion ka qenë me herët deputet i Parlamentit shqiptar dhe ka shërbyer për disa vite si ministër i Brendshëm.
Dënimi i Tahirit dhe përplasja me ambasadorin Lu
Kompania amerikane lobuese thekson se do të takojë kongresmenë, senatorë dhe se në fokusin e bisedimeve do të jetë çështja aktuale gjyqësore ndaj klientit të tij në Shqipëri. Por në të theksohet se kjo nuk ka qëllim të ndryshojë politikën e SHBA-ve. Por a është kjo nismë e Tahirit kundër qëndrimeve të mbajtura nga ish-ambasadori amerikan Donald Lu kundër tij gjatë kohës së hetimeve dhe gjykimit? Në dokument e lobimit theksohet se qëllimi i kompanisë është që të informojë zyrtarët që do të takojnë në Senat, Kongres apo dhe ato të shërbimet të inteligjencës se deklaratat e bëra nga personeli i ambasadës mund të influencojnë dhe të ketë pasoja te vendimet e autoriteteve në Shqipëri.
Gjithashtu ky lobim pritet të parandalojë ndonjë deklaratë në të ardhmen nga ambasada amerikane për ankimin e pritshëm dhe vendimin e Gjykatës për apelimin e bërë ndaj vendimit të parë. Konflikti mes Tahirit dhe ambasadorit Donald Lu ka qenë publik dhe jo të pakta kanë qenë deklaratat e diplomatit amerikan ku kërkonte që të jepej sa më shpejt vendimi ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Në maj të vitit të kaluar, Lu do të reagonte një ditë përpara se Gjykata të jepte vendimin për kërkesën e bërë nga Tahiri për heqjen e masës “arrest me burg”. Në një prononcim për gazetarët Donald Lu i bëri thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, pasi sipas tij ka raportime nga burime te pavarura për presione dhe ryshfete ndaj gjykatësve.
“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, do të deklaronte Donald Lu.
Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri e shpalli fajtor më 20 shtator, 2019, zotin Tahiri, për shpërdorim detyre, por nuk e gjeti fajtor për akuzat e trafikut të drogës. Prokurorët kishin kërkuar që Tahiri të dënohej me burgim prej 12 vjetësh me akuzën e korrupsionit dhe trafikut të drogës, si pjesë e një grupi kriminal. Ai u dënua me 5 vjet burgim, por duke qenë se ai më parë kishte pranuar gjykimin e shkurtuar, atëherë dënimi, sipas vendimit, u konvertua në 3 vjet e 4 muaj shërbim prove.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.