Shendet

Frika e të qenit beqar gjithë jetën. Çfarë është anuptafobia dhe si ta trajtoni

Kur ke frikë të jesh vetëm dhe kërkimi i një partneri bëhet një “obsesion” i vërtetë, atëherë ke një çrregullim psikologjik të quajtur anuptafobi . E njohur si “Sindroma Bridget Jones” është frika e të qenit beqar gjithë jetën.
Është një shqetësim shumë i përhapur në shoqërinë e sotme. Ky shqetësim shpesh lidhet me trashëgiminë kulturoro-sociale, sipas së cilës realizimi i një individi ndodh vetëm atëherë kur ka një familje. Personat më të prekur nga kjo frikë janë ata mbi 35 vjeç , të cilët priren të ndihen jonormalë kur miqtë e tyre në këtë moshë kanë partner dhe fëmijë.
Femrat janë ato që vuajnë më shumë sepse “ora e tyre biologjike” i shtyn të kërkojnë stabilitet dhe një partner të besueshëm me të cilin të kenë fëmijë. Të qenit dyzet vjeç pa partner ose pa fëmijë për ata që vuajnë nga anuptafobia shihet si një “dështim” i vërtetë.

Si të njohim anuptafobinë?
Njerëzit me anuptafobi kanë vetëbesim të ulët. Ata priren të kryejnë çdo veprim që i pëlqen partnerit të tyre. Ata janë njerëz të brishtë dhe të paqëndrueshëm dhe në shumë raste kanë dalë nga një marrëdhënie toksike. Pas përfundimit të një marrëdhënieje, në vend që të përqendrohen pak te vetja, ata priren të kërkojnë sa më shpejt të jetë e mundur një partner tjetër zëvendësues me të cilin të ndërtojnë një marrëdhënie.
Shumë nga këta njerëz vuajnë nga “sindroma famëkeqe e braktisjes” aq shumë sa nuk mund ta durojnë idenë e të qenit vetëm. Ky qëndrim i tyre nuk e lejon atë të rritet as emocionalisht dhe as nga pikëpamja e marrëdhënieve. Ata që vuajnë nga ky shqetësim, kur janë në çift priren të ndryshojnë personalitetin e tyre nga frika se mos i pëlqejnë tjetrin.
Aida Rubio , Shefe e Përmbajtjes Klinike në “TherapyChat”, platforma online e psikologjisë, shpjegon se personi mund ta gjejë veten duke refuzuar disa karakteristika të identitetit të tij, ose fragmente të caktuara të historisë së tij personale, nëse ato lidhen me dështimet në kërkimin e tij intensiv për një partner. Ai mund të shmangë të flasë për to, t’i fshehë dhe të ndihet tmerrësisht i turpëruar. Sipas saj personi me anuptafobi jo vetëm që mund të preket nga një shqetësim i brendshëm i rëndësishëm, por mund të shohë edhe jetën e tij të rrezikuar në aspekte të ndryshme. Për shembull, ai mund të modifikojë modelet e tij sociale për të maksimizuar mundësitë për të gjetur një partner në vend që të fokusohet për të pasur marrëdhënie cilësore.

Si të kapërceni anuptafobinë?
Nuk ka një kurë të synuar për anuptafobinë. Për të kapërcyer këtë shqetësim është thelbësore të punoni shumë me veten, duke filluar nga pranimi i problemit. Një pikënisje e mirë është të mësoni se si të menaxhoni emocionet tuaja, veçanërisht ato negative, nga të cilat mund të nxirrni mësime të panumërta.
Ekspertët e psikologjisë i rekomandojnë periudhat e vështira si një mundësi për t’u njohur më mirë me veten. Përkushtimi ndaj aktiviteteve krijuese rrit vetëvlerësimin tuaj dhe ju lejon të keni jeni të angazhuar qëllimeve të reja dhe stimuluese, për të plotësuar vetën(jo për të gjetur një partner të ri).
Në rastet kur ky shqetësim kthehet në depresion akut, duke rrezikuar cilësinë e jetës së individit, është më mirë të kontaktoni një psikolog.
Burimi: Il giornale/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë