Analize

Si e kontrollon Kina politikën e Ballkanit nëpërmjet investimeve?

Nga Xhuliana Toci - Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë bërë prej kohësh “një sy qorr dhe një vesh shurdh” ndaj shqetësimeve të ekspertëve të ndryshëm në lidhje me rritjen e ndikimit kinez në vendet e Ballkanit Perëndimor. Por burokratët  e BE-së nuk e patën edhe aq të lehtë të injoronin alarmin e Komisionerit Johannes Hahn, i cili paralajmëronte ndër të tjera se Kina po josh demokracitë e dobëta të Ballkanit të aplikojnë formën e saj të qeverisjes. Hahn ka deklaruar në një intervistë për “Politico”, se kombinimi i kapitalizmit dhe diktaturës politike, mund të “inspirojë” disa prej udhëheqësve në rajon të ndjekin shembullin e qeverisë kineze. Ish-ministri austriak ka paralajmëruar unionin europian se afrimi dhe bashkëpunimi me Kinën mund t’i çojë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt kapitalizimit autoritar. Sipas tij, Pekini është tanimë në në rrugën e duhur për t’i kthyer vendet e rajonit në “kuaj troje”, brenda Bashkimit Europian.

Përgjatë viteve të fundit, Perëndimi ka qenë vazhdimisht i shqetësuar për ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan dhe tentativat për të ndezur konfliktet ndër-etnike në rajonin. Por sipas Hahn, BE-ja ka më shumë arsye për të qenë e shqetësuar për qeverinë kineze, e cila ka bërë një serë investimesh të rëndësishme në projektet e infrastrukturës në rajon. I pyetur nëse Kina po përdor fuqinë e saj financiare për të pasur ndikim politik mbi vendet që aspirojnë të bashkohen me BE, Hahn përmendi shembullin e një autostrade në Mal të Zi që ndërtohet dhe financohet nga Pekini.

"Autostrada që po ndërtohet në Malin e Zi është shembulli konkret i natyrës së ndërhyrjeve kineze. Ofrimi i kredive të buta, ose investimeve tërheqëse është kthyer tashmë në një polikë strategjike për qeverinë kineze", tha Hahn. "Mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm për konceptin strategjik të Kinës dhe të reagojmë në mënyrë adekuate. Unë mendoj se kjo do të jetë një nga sfidat më të mëdha të Evropës".

Zoran Zaev,  Denis Zvizdic, Johannes Hahn, Ana Brnabic,  Edi Rama, r Dusko Markovic dhe Isa Mustafa

Ndikimi i “errët” politik

Në korrik të këtij viti, Bullgaria organizoi samitin e shtatë vjetor për "Bashkëpunimin midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore", e njohur ndryshe si nisma 16 + 1, një platformë diplomatike e koordinuar nga Kina, për të forcuar marrëdhëniet me vendeve europiane. Që nga takimi i parë formal në Varshavë në vitin 2012, dyshimet rreth natyrës dhe qëllimit të platformës kanë shkaktuar kritika të vazhdueshme nga komentatorët politikë. Ata argumentojnë Kina po përdor vendet “periferike” të kontinentit për të pasur ndikim brenda BE-së dhe për të ndarë dhe dobësuar Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet midis Kinës dhe Ballkanit Perëndimor kanë ekzistuar që nga viti 1949 dhe janë bazuar në përvojën e përbashkët të vendeve komuniste. Me rënien e komunizmit në vitin 1989, rajoni përqafoi idenë e "kthimit në Europë" dhe u largua nga ish-hapësira sovjetike dhe vendet komuniste, duke përfshirë Kinën. Përkundrazi, ata përqendruan energjitë e tyre të politikës së jashtme dhe ekonomike drejt integrimit me Evropën Perëndimore. Por siç përcaktoi edhe Hahn, vite më vonë, Kina duket se ka joshur sërish liderët ballkanikë, përmes kombinimit të kapitalizmit dhe diktaturës, duke bërë që shumë prej tyre ta shohin si një formë efektive qeverisjeje.  Të lënë pas dore nga Bashkimi Europian, një pjesë e mirë e liderëve ballkanikë duket se kanë “përqafuar” ndikimin kinez, edhe pse janë të vetëdijshëm për qëllimet e Pekinit.

Frika më e madhe e ekspertëve duket se nuk është vetëm rritja e ndikimit ekonomik, por edhe atij politik, pasi vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende demokraci të brishta, ta karakterizuara nga problemet endekime të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria, vendi i fundit komunist i kontinentit, mund të jetë pa dyshim më e rrezikuara nga strategjitë e errëta politike të qeverisë kineze, e cila ka shprehur indicie të qarta për t’u afruar me qeverinë shqiptare. Shqipëria është një pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor për Kinën, kryesisht falë vendndodhjes së saj në bregdetin e Adriatikut, një pozicion kyç në "Rrugën e re të Mëndafshit Detar", një nismë gjigande infrastrukturore e qeverisë kineze. Gjatë një takimit me Kryeministrin Edi Rama, në Bullgari, kryeministri kinez, Li Keqiang u shpreh se Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për të përshpejtuar zbatimet e strategjive të zhvillimit rural në vendin tonë dhe për t’i çuar marrëdhëniet e ndërsjellta në një nivel të ri. Li përshëndeti zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin praktik mes Kinës dhe Shqipërisë, duke theksuar se të dyja vendet do të festojnë 70 vjetorin e lidhjeve diplomatike vitin e ardhshëm.

Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri kinez Li Keqiang 

Por duket se rritja e populizmit dhe trazirat politika në vendin tonë dhe në rajon, bën që udhëheqësit ballkanikë t’i drejtohen Pekinit për alternativa të ndryshme ekonomike dhe politike. Në një kohë kur Ballkani Perëndimor ballafaqohet me një politikë gjithnjë e më autoritare, investimet e qeverisë kineze dhe mjetet e tjera financiare janë shndërruar shpesh në levat kryesore të liderëve të rajonit për të për të mbetur në pushtet. Kjo, nga ana tjetër, përkeqëson dhe thellon krizën e qeverisjen ekzistuese, përfshirë edhe atë të vendit tonë. Projektet e infrastrukturës kineze shërbejnë shpesh si kanal për ndikim politik, dhe për të joshur liderët e qeverive të brishta të Ballkanit Perëndimor, me modelin kinez të qeverisjes.

Anëtarësimi në BE

BE ka sugjeruar që vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të BE-së deri në vitin 2025,edhe pse Hahn tha se afati kohor është "mjaft ambicioz". Mali i Zi, i cili u kthye në kryefjalën e medieve botërore përgjatë javës së kaluar pasi presidenti Donald Trump sugjeroi se vendi i vogël ballkanik mund ta çonte NATO-n drejt Luftës së Tretë Botërore dhe fqinji më i madh i saj Serbia, filluan bisedimet e anëtarësimit në BE në vitin 2014. Ato  janë dy nga gjashtë vendet që po përpiqen të anëtarësohen në unionin europian, ndërkohë që vendet anëtare duket se janë më të përçara se kurrë mbi mënyrën se si duhet t’i trajtojnë këto aspirata. Presidenti francez Emmanuel Macron është shfaqur si zëri kryesor skeptik për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimit të anëtarëve të rinj nga Ballkani Perëndimor. Ai ka insistuar se BE duhet të përqendrohet në reformimin e institucioneve të saj para se të mendojë edhe për zgjerimin. Zyrtarët francezë gjithashtu frikësohen se pranimi i vendeve relativisht të varfra me probleme të thella si krimi i organizuar dhe korrupsioni do të ishte një dhuratë për partitë euroskeptike të parlamentit europian, gjatë zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Në qershor, Paris arriti të shtyjë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit  me Shqipërinë dhe Maqedoninë, pas zgjedhjeve të majit.

Por planet aktuale të BE-së duket se lënë dy vende të Ballkanit Perëndimor, Kosovën dhe Bosnje dhe Herzegovinën, pa asnjë një afat kohor paraprak për bisedimet e anëtarësimit. Hahn tha se struktura e fragmentuar politike e Bosnje Herzegovinës , si rezultat i marrëveshjes së Dejtonit, do të duhet të ndryshojë. Ndërkohë, një nga barrierat e mëdha të Kosovës ndaj anëtarësimit në BE është se zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Serbinë, vend nga i cili shpalli pavarësinë në 2008. Hahn vuri në dukje se qeveria e Kosovës mbështetet gjithashtu  tarifat doganore për të ardhurat dhe kjo do të duhej të ndryshonte para se të mund të bashkohet me tregun e vetëm të BE-së.

 Theresa May, Angela Merkel dhe liderët e Ballkanit Perëndimor

Hahn kundër Macron

Në intervistën e pazakontë me “Politico”, Hahn doli kundër deklaratave të Macron. Ai tha se qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë të drejtë të jenë anëtarë të plotë të Bashkimit Europian. Sipas ish-ministrit austriak BE-ja duhet të zgjedhë mes stabilitetetit të rajonit ose paqëndrueshmërisë së importuar në bllok. Hahn tha se pajtohet me Macron se BE duhet të vetë-reformohet,  por tha se kjo mund të ndodhë ndërkohe që vendet e Ballkanit Perëndimor zhvillojnë bisedime e anëtarësimit.

"Këndvështrimi im është ndoshta pak më ndryshe nga ai i Presidenti Macron- tha ai- Ndoshta ne mund ta bindim se të dyja këto procese mund të bëhen paralelisht."

Hahn tha se është "shumë i bindur" se negociatat  me Shqipërinë dhe Maqedoninë mund të fillojnë vitin e ardhshëm, duke vënë në dukje se procesi i verifikimit të gatishmërisë së vendeve anëtare për hapjen e negociatave ka filluar tashmë.

"Kjo është një punë shumë gjithëpërfshirëse dhe shpresoj ta përfundojmë brenda 14 muajve të ardhshme- shprehet Hahn.  Ai e konsideroi projektin e zgjerimit të BE-së për të përfshirë të gjithë Ballkanin Perëndimor si një mision historik.

"Gjithçka filloi në '89 me rënien e Perdes së Hekurt- tha ai- Por e gjitha do të mund të përfundojë vetëm kur të gjashta vendet e Ballkanit të jenë anëtare të Bashkimit Europian ".

Burimet: "Politico", "Europa.eu", "Xinhuanet"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë