Politike

Fredi Beleri ndodhet në burg në Shqipëri, por merr një post drejtues komisioni në Parlamentin Europian

Fredi Beleri, i cili u zgjodh eurodeputet nga radhët e partisë Demokracia e Re në Greqi ka marrë të martën një post drejtues në Parlamentin Evropian, edhe pse ndodhet në burg në Shqipëri.

Kathimerini shkruan se Beleri u zgjodh nënkryetar i Komisionit të Peticioneve.

“Falënderoj kolegët e mi që më zgjodhën nënkryetar të Komisionit të Peticioneve, gjë për të cilën mësova nga brenda burgjeve shqiptare”, tha Beleri sipas AMNA, duke shprehur optimizmin e tij se së shpejti do të lirohet dhe do të jetë në gjendje të kryejë detyrën e tij.

Kryetarja e Eurogrupit të Demokracisë së Re, Eliza Vozemberg u zgjodh kryetare e Komitetit të Transportit dhe Turizmit me 33 vota, ndërsa Elena Kountoura e SYRIZA do të jetë nënkryetarja e tretë.

Sipas transmetuesit publik ERT, Vozemberg falënderoi kolegët e saj dhe vuri në pah interesat greke, veçanërisht në transportin detar.

Eurodeputeti tjetër Emmanouil Fragkos u zgjodh nënkryetar i katërt në nënkomitetin për Shëndetin Publik.

Parlamenti Evropian njoftoi se të 20 komitetet e përhershme dhe katër nënkomitetet mbajtën takime për të zgjedhur drejtuesit e  tyre të martën.

Edhe pse shumica e posteve drejtuese të komisioneve janë plotësuar, janë disa nënkryetarë që pritet të plotësohen gjatë kësaj jave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë