Kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Fredi Bejleri, nuk ka trazuar vetëm ujërat e PS, ku pati më herët një përplasje verbale mes Taulant Ballës dhe vete kandidatit, por edhe brenda opozitës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi deklaratat e kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi ku ky i fundit bëri thirrje që mos të votohet Fredi Bejleri.
Berisha tha në një konferencë për mediat se deklarata të tilla janë të panevojshme dhe i shërbejnë kundërshtarëve.
“Nuk kam asnjë lloj komenti. Secili merr vendimet e tij. Kjo thirrje, nëse e ka bërë, shkon në favor të kundërshtarëve tanë. Ka bërë një gabim për mendimin tim të panevojshëm”, tha ai.
Shpëtim Idrizi tha më herët për mediat se; “PDIU nuk i ka bërë kurrë thirrje mbështetësve të një partie tjetër politike se si duhet të votojnë, por sot është koha t’i bëjmë thirrje shqiptarëve të mos votojnë Fredi Bejlerin, njeriun e akuzuar për masakrën e Peshkëpisë dhe i dënuar me vendimin e Gjykatës Vlorë, me 3 vite burg për dhunim të simboleve shtetërore shqiptare”
Fredi Bejleri ishte njëri nga anëtarët e komandos ekstremistë grekë të masakrës së Peshkëpisë e ndodhur në prill 1994 në Gjirokastër, ku u vranë dy ushtarë shqiptarë
Për atë ngjarje ku pati edhe të plagosur, Fredi Bejleri është thirrur disa herë në organin e akuzës, edhe pse ai ka mohuar pjesëmarrjen
Paraqitja e fundit e tij ishte para tre vjetësh ku Fredi Bejleri që është edhe Kreu i OMONIA-s u paraqit në Prokurorinë për Krime të Rënda.
Sulmi ndodhi ndaj një reparti kufitar pranë fshatit Peshkëpi të Dropullit, pak kilometra brenda kufirit shqiptar. Ai nisi mëngjesin e prillit 1994 dhe u mor përsipër nga formacioni paraushtarak i një grupi nacionalist grek që kërkonte bashkimin e një pjese të Shqipërisë së Jugut me Greqinë. Fredi Bejleri u akuzua se ishte një prej tyre
Ngjarja përfundoi me dy ushtarë të vrarë dhe tre të plagosur dhe pasoi edhe me marrëdhënie të tensionuara diplomatike mes dy vendesh.
Në fund të gjithë kësaj historie që zgjati mbi tre dekada Prokuroria e Posaçme pushoi hetimin me argumentin se nuk u gjeten prova të mjaftueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.