Lexo me "Si"

Franz Kafka, në sytë e mbesës së tij

Nga Gazeta “SI”– “Në shtëpi askush nuk mendonte se ai mund të bëhej një shkrimtar i madh. Të gjithë mendonin se për të shkrimi ishte një mënyrë për të çliruar ndjenjat, një mënyrë për të kaluar kohën duke u argëtuar”. Kështu flet mbesa e Franz Kafkës në një video të vitit 1963.

Jeta e Franz Kafkës nis në zemër të Pragës së vjetër. Prapa kishës së Shën Nikollës, ndodhej një shtëpi e bukur dhe e rehatshme. Në katin e parë, në vitin 1883, lind një fëmijë i dobët dhe i sëmurë.

I ati ishte një tregtar i pasur, ndërsa nëna një grua e butë dhe e dashur. Franz ishte djali më i vogël i një familjeje të madhe. Ai ishte një vogëlush i kujdesshëm, i pastër dhe i mbikëqyrur nga nëna dhe motrat. Franz kishte tre motra: Elli, Valli dhe Ottla. Por njëra prej tyre, Ottla, e donte më shumë se të tjerat.

Sot në Pragë jeton vetëm një e afërme e Franz Kafkës, e bija e Ottlas, Vera Saudkova. Në banesën e saj janë gjetur të gjitha ato gjëra që kanë mbetur nga Kafka: një makinë shkrimi dhe një fletore e mbushur me shënime dhe kaligrafi të pastër.

Vera Saudkova

Mbesa e tij lexon hyrjen e tregimit që më pas do të kthehej në një nga novelat më të famshme të historisë së letërsisë, “Metamorfoza”. Ky në fakt është i vetmi dorëshkrim që gjendet në Pragë nga Kafka.

“Nuk ka shumë gjëra që mund t’ju tregoj,” thotë mbesa e Kafkës, Saudkova.

“Përjashto nënën dhe babain e Kafkës që vdiqën pak kohë më parë, pjesa tjetër e familjes, përfshirë 49 persona, u zhduk gjatë luftës në dhomat me gaz. Kanë mbetur vetëm fotografitë dhe ato gjëra që unë dhe motra ime kujtojmë,” thotë Saudkova ndërkohë që në duar mban fletoren e shënimeve të Kafkës.

Ajo nis sërish të flasë për dajën e saj, duke rrëfyer copëza kujtimesh të ruajtura në memorie.

Dorëshkrimi i “Metamorfoza”

“Mamaja më thoshte se askush në familjen tonë nuk e mendonte se një ditë Franz do të bëhej një shkrimtar i madh. Të gjithë mendonin se shkrimi për të ishte një mënyrë për t’u çliruar ose për të kaluar kohën në një mënyrë argëtuese, por nuk besohej se ajo që kishte shkruar do të botohej dhe se ai do të fitonte famë botërore. Kam ruajtur të gjitha letrat që Kafka i shkruante mamasë sime”

Ajo nxjerr një kartolinë nga sirtari dhe mendon se do të ishte interesante të lexohej për të kuptuar shpirtin e shkrimtarit.

“E dashur Ottla, sonte në mesnatën e datës 31, jam zgjuar në orën 5, dhe dëgjova se para dhomës sime të fjetjes ti thërrisje Franz. Ti më thërrisje me gjysmë zëri, por unë të dëgjova shumë mirë. T’u përgjigja menjëherë, por ti nuk fole më . Çfarë po kërkoje? I yti, Franc.”

Sa i përket marrëdhënies me të atin, ajo thotë se janë shkruar shumë gjëra për raportin mes tyre, shpesh pa e njohur historinë.

“Për të kuptuar marrëdhënien mes tyre është e nevojshme të shihet brenda familjes, dhe jo jashtë saj. Kafka ishte djalë i vetëm i një familjeje hebreje. Kishte vetëm tre motra më të vogla se vetja. Duke qenë djalë i vetëm, ai adhurohej nga prindërit gati si të ishte një Zot.

Nga ajo që mbaj mend unë, i ati e donte shumë. Nëse kishte pak mosmarrëveshje apo zënka mes tyre, ishte për faktin se i ati e donte të ishte aktiv për të mos e lënë të kalonte ditën mes librave, letërsisë dhe poezive, gjëra që atij i dukeshin të kota. Kafka ndërkohë ishte karakter i dobët, preferonte të kalonte ditën në shtëpi duke lexuar.

Vera Saudkova në dokumentarin për Kafkën

Nuk e ndihmonte të atin në dyqan dhe nuk preokupohej për të ardhmen. I ati kishte dashur një burrë në që të ishte i zoti në biznes. Kjo ishte arsyeja që ata nuk shkonin shumë mirë. Por që të ketë pasur urrejtje mes tyre, këtë nuk e besoj. Edhe nëse Kafka e ka thënë, unë sërish nuk e besoj,” thotë Saudkova.

Kafka botoi shumë pak nga krijimtaria e tij sa ishte gjallë ndërsa i dha porosi shokut të tij Max Brod që pas vdekjes së tij, të digjte doreshkrimet e pabotuara, porosi e cila nuk u zbatua nga Brod i cili ia botoi pas vdekjes kryeveprat si Procesi më 1925, Kështjella më 1926 dhe Amerika 1927, duke e bërë kështu Kafkën një nga shkrimtarët më brilant në historinë e letërsisë botërore.

Burimi: Rai Cultura


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë