Ngjarje

Francezi i skandalit të Nobelit, 2 vjet burg për përdhunim

Jean-Claude Arnault,  njeriu në qendër të skandalit që detyroi Akademinë Suedeze të shtyjë Nobelin e Letërsisë, është shpallur fajtor për përdhunimin e një  gruaje, shtatë vjet më parë. Gjykata e Distriktit të Stokholmit e shpalli fajtor Arnault-in, për përdhunimin e një gruaje,  gjatë natës mes 5 dhe 6 tetorit, 2011, duke e dënuar me dy vjet burgim.Francezi 72 –vjeçar ka pasur  dy akuza për përdhunim; edhe  një të lidhur me rastin e 2 dhe 3 dhjetorit të të njëjtit vit. Megjithatë, gjykata nuk e gjeti fajtor për akuzën e mëvonshme.

“Përgjegjësia e gjykatës në një rast kriminal është të vendosë nëse prokuroi ka faktuar akuzat përtej një dyshimi të arsyeshëm. Faktet në këtë rast kanë konsistuar kryesisht nga deklaratat e bëra në gjyq prej palës së dëmtuar dhe një sërë dëshmitaresh”, ka thënë gjyqtari  Gudrun Antemar në një deklaratë. “Gjykata ka bërë një vlerësim të plotë të fakteve dhe konkluzioni i gjykatës është se të dhënat janë të mjaftueshme për ta shpallur të akuzuarin fajtor të një prej ngjarjeve, për të cilat kanë ngritur akuza prokurorët.” Prokurorët kanë kërkuar për një dënim minimal prej tre vitesh,  në atë që ishte i pari i gjyqeve të mëdha që do të dilnin nga lëvizja #MeToo.

Arnault është i martuar me një anëtare të Akademisë Suedeze e cila zgjedh fituesin e Nobelit të Letërsisë, ndërsa skandali e ka detyruar institucionin të shtyjë çmimin e këtij viti. Skandali doli në nëntor të 2017-ës, një muaj pas akuzave  për përdhunim dhe abuzim seksual kundër mogulit të Hollivudit, Harvey Weinstein.Në atë kohë, e përditshmja suedeze  “Dagens Nyheter” botoi dëshmitë e 18 grave që pretendonin se ishin përdhunuar, sulmuar dhe ngacmuar seksualisht nga Arnault, i cili ka lidhje të ngushta me Akademinë.Francezi gjithashtu drejton klubin “Forum”, një vendtakim për elitën kulturore , mes autorëve të rinj aspirantë me shpresë për të hyrë në kontakte me botues dhe shkrimtarë.

Ndarja e hidhur e Akademisë

Zbulimet e lanë Akademinë, e cila ka financuar klubin e tij për vite me radhë, të ndarë thellë mbi debatin sesi do e menaxhonin lidhjen me të dhe bashkëshorten e tij, poeten, Katarina Frostenson.Gjashtë nga 18 anëtarët dhanë dorëheqjen apo u larguan dhe disa prej tyre po hasen me sulme përmes medies. E shkatërruar dhe pa një kuorum për të marrë vendime kyçe, (dy anëtarë të tjerë kishin dhënë dorëheqjen në raste të mëparshme), Akademia e shtyu Nobelin e Letërsisë, të parin në  70 vite.Sipas prokurorisë, Arnault kishte detyruar një grua, e cila ishte në gjendje të “frikësuar”, të bënte seks oral dhe penetrim në një apartament në Stokholm, më 5 tetor të vitit 2011.Ai u akuzua edhe se e kishte përdhunuar në datat 2 dhe 3 dhjetor, ndërsa ajo ishte duke fjetur, por kjo akuzë ra. Gjyqi është mbajtur me dyer të mbyllura për të mbrojtur viktimën, identiteti i së cilës nuk është zbuluar.

Kultura e heshtjes

Arnault pretendoi pafajësinë qysh prej fillimit të kësaj historie. Është mbajtur në arrest, qysh prej mbylljes  së gjyqit më 24 shtator dhe do të qëndrojë në burg derisa të nisë formalisht dënimi i tij, ka thënë gjykata. Akuzuesit e tij pretendojnë se Akademia Suedeze ishte në dijeni të plot të sjelljes së tij dhe fajësojnë institucionet se kanë ndihmuar në krijimin e një “kulture heshtjeje”, që  ka pushtuar qarqet kulturore suedeze.Një hetim i brendshëm i Akademisë ka dalë në përfundimin se kishte konflikte interesi mes Arnault dhe Akademisë dhe ka zbuluar se disa gra, anëtare të Akademisë dhe njerëz të afërt me to, janë ngacmuar apo sulmuar nga francezi.Sipas së përditshmes suedeze “Svenska Dagbladet”, Arnault  ka lindur në Marsejë, më 1946-ën, djalë i dy prindërve refugjatë rusë. Ai mbërriti në Suedi në fund të viteve ’60 për të studiuar fotografi. Ai etiketohej si “anëtari i 19-të”  i Akademisë dhe sipas hetimit të brendshëm, ai ka rrjedhur informacion me emrat e laureatëve të Nobelit të Letërsisë në disa raste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë