Gazeta Si – Finalja e Ligës së Konferencës me siguri do të sjellë në Tiranë shumë përsonalitete të futbollit më 25 maj. Për më tepër, ata që kanë lidhje me dy skuadrat që do të ndeshen në “Air Albania”, Romën, siç është edhe Toti.
Praninë në Tiranë e ka konfirmuar vetë ish-lojtari legjendar i Romës dhe futbollit italian, Françesko Toti. Ish-kapiteni i Romës ka pohuar për shtypin italian se nuk do të mungojë në finalen e 25 majit.
“Prej shumë kohësh nuk luajmë në një finale kupash dhe për ne është shumë e rëndësishme të ngrejmë një trofe këtë sezon. Do të shkojmë në Tiranë me shumë dëshirë për fitore dhe do të luftojmë deri në fund. Patjetër, do të jem në Tiranë”, – është shprehur Toti.

Kohët e fundit, idhulli i tifozëve të Romës ka qenë më pranë skuadrës. Toti, duke komentuar ndeshjet e fundit në kampionat, ka theksuar se Romës i janë bërë shumë padrejtësi nga arbitrat. Megjithatë, ai ka besim se sazoni do të mbyllet me trofeun e Ligës së Konferencës.
Françesko Toti është vetëm emri i parë i yjeve që do të jenë në tribunën “VIP” të stadiumit “Air Albania” më 25 maj. Deri atëherë do të zbulohen edhe emra të tjerë të njohur të futbollit europian që kanë vendosur ta ndjekin nga afër finalen në kryeqytetin shqiptar.
Tifozët e Romës në Shqipëri, të cilët janë të paktë, do të kenë shansin më 25 maj për të takuar nga afër edhe idhullin e tyre, Françesko Toti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




