Motosport

Françesko Banjaia dhe Dukati shpallen kampionë në Moto GP

Gazeta Si – Dukati ka hequr nga shpatullat peshën e një pritjeje të gjatë 15-vjeçare, falë Françesko Banjaias, i cili ka festuar në Valencia titullin e dytë kampion bote në MotoGP. Italiani zuri vendin e 9-të në garën e fundit, por që i mjaftoi për të siguruar titullin.

Në Valencia fitoi Aleks Rins me Suzuki, duke lënë pas Bred Binder dhe Horge Martin, Një sukses simbolik pikërisht në ditën e lamtumirës së skuderisë japoneze nga Botërori i MotoGP.

Françesko Banjaia feston pas fitimit të titullit kampion. Gazeta Si, 7 nëntor 2022

Banjaia ishte i ndërgjegjshëm për mundësitë e madhe për të vendosur në kokë kurorën e kampionit. Vetëm fitorja e Fabio Kuartararos mund t’i bënte një shaka të pakëndshme dhe të nervozonte ‘Pekon’. Piloti i Dukatit e administroi garën me shumë pjekuri.

Presioni i Banjaias u duk normal për dikë që lufton për kurorëzimin e sakrificave të mëdha. Ai e nisi mirë garën dhe në fund vendi i 9-të ishte i vlefshëm për pilotin italian.

15 vjet pas Kejsi Stoner, titulli i vetëm për pilotë i Dukatit, 13 vjet pas Valentino Rosit, titulli i fundit i një italiani në MotoGP, 50 pas çiftit të fundit kampion italian me Xhakomo Agostinin me MV Augusta, flamuri trengjyrësh është valëvitur fitues në motoçiklizëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë