Ekspozite

Francesco Albani, piktori barok me origjinë shqiptare

Atë Albani ishte  tregtar  mëndafshi në Bolonjë, të cilit nuk i pëlqeu ideja që Francesco-ja të bënte  pikturë si karrierë. I riu Albani e dinte që herët se arti gjallonte  në zemrën e tij dhe ai do ta bënte atë mjet jetese. Por, si  patriark krenar, Atë Albani e shtyu të birin të bëhej tregtar mëndafshi,  ose të studionte për t’u bëre jurist.

Gjërat morën kthesë për të mirë kur i ati i  Francesco-s vdiq. Albani ishte i lirë të ndiqte qëllimet e tij jetësore dhe ndoqi i papenguar botën e artit figurativ. Duke marrë parasysh që Albanët ishin një nga familjet kryesore në Bolonjë, kapërcimi ndoshta nuk ishte aq i vështirë.

Albanët ishin familje aristokrate katolikësh me origjinë shqiptare, që u shpërngulën drejt Urbinos nga Malësia e Madhe. Ishin dy vëllezërit  Gjergj dhe Filip, që pasi shërbyen në luftën shqiptaro-venedikase në shekullin e 15-të, kërkuan strehë në Itali, ku u vendosën në Urbino dhe e përshtatën mbiemrin “Albani”.

Për një kohë të shkurtër ata u ngjitën në status  të lartë në shoqëri dhe një prej anëtarëve të shquar të familjes Gian Girolamo Albani, nisi rrugën e familjes me politikën. Shumë anëtarë të familjes ndoqën hapat e tij në udhëheqje politike dhe fetare.  Giovanni Francesco Albani, u zgjodh Papë, duke marrë emrin Papa Klementi XI.

Në vitin 1600, Albani u zhvendos në Romë për të punuar në dekorimin me afreske  të galerisë së Palazzo Farnese, e cila po përfundohej nga studioja e Annibale Carracci-t. Në këtë kohë, Roma, nën Klementin VIII Aldobrandini (1592–1605) po shfaqte një farë shkalle të stabilitetit administrativ dhe patronazhin e rinovuar artistik. Ishe periudhë ku Bolonja do tw sundonte në pikturën afreske të Romës,  për gati dy dekada.

Albani u bë një nga praktikantët më të shquar të Annibale-s. Duke përdorur skicat e mjeshtrit dhe i ndihmuar nga Lanfranco dhe Sisto Badalocchio, Albani përfundoi afresket për kishën e Shën Diegos në San Giacomo degli Spagnoli, midis 1602 dhe 1607. Në 1606–7, Albani përfundoi afresket në Pallatin  Mattei di Giove,  në Romë. Më vonë ai përfundoi dy afreske të tjera në të njëjtin pallat, gjithashtu me temën e Jetës së Jozefit.

Më 1609-n, ai përfundoi tavanin e një salle të madhe me Rënia e Faetonit  dhe Këshillin e zotave për Palazzo Giustiniani (tani Palazzo Odescalchi) në Bassano  Romano. Kjo vepër u porosit nga Vincenzo Giustiniani, i famshëm gjithashtu si mbrojtës i Caravaggio.

Gjatë viteve 1612–14, Albani përfundoi afresket e Korit në kishën e Shën Mërisë së Paqes, e cila sapo ishte rimodeluar nga Pietro da Cortona. Në 1616-n, ai pikturoi afresket e tavanit të Apollos dhe Stinët në Pallatin Verospi, në Via del Corso, për kardinalin Fabrizio Verospi.

Në vitet e mëvonshme, Albani zhvilloi një rivalitet të ndërsjellë, megjithëse të respektueshëm, me Guido Reni, i cili gjithashtu patronizohej shumë nga Aldobrandini, dhe nën të cilin Albani kishte punuar nën kishën e Palazzo del Quirinale.

Afresket më të mira të Albanit janë ato me tema mitologjike. Ndër temat më të mira të shenjta janë një  e Shën Sebastian dhe Ngjitja e Zojës, të dy në kishën e Shën Sebastianit jashtë Mureve, në Romë. Ai ishte ndër piktorët italianë që iu  përkushtua pikturimit të personazheve mitologjike. Subjektet e tij përfshijnë Venusin e Fjetur, Diana në Banjë, Danaë e mbështetur, Galatea në Det dhe Europa mbi Dem. Një gravurë e rrallë, Vdekja e Didos, i atribuohet atij. Carlo Cignani, Andrea Sacchi, Francesco Mola dhe Giovanni Francesco Grimaldi ishin ndër studentët e tij.

Albani kurrë nuk e fitoi monumentalitetin ose tenebrizmin që po dridhte vibronte botën bashkëkohore të piktorëve dhe shpesh është përqeshur për ëmbëlsinë e tij lirike, plot kerubinë, e cila nuk e ka lëkundur ende elegancën manieriste. Ndërsa tematika e Albanit do t’i kishte pëlqyer Poussin-it, atij i mungonte drama më e fuqishme e francezit. Stili i tij ndonjëherë duket se ka më shumë të përbashkëta me Rococco-në  dekorative sesa me pikturën e kohës së tij.

Francesco vazhdoi të jetonte një jetë të suksesshme, edhe pse  të paqëndrueshme, në Romë. U martua dhe pati fëmijë. Familja ishte e denjë për model, me gruan dhe fëmijët e tij që vepronin si subjekte për shumë prej punëve të tij. Albani bëri një jetë solide me pikturat e kabinetit mitologjik dhe ishte italiani i parë që e bëri këtë. Gjërat vazhduan të shkonin mirë derisa gruaja e parë vdiq. Por Albani, i lumtur, u kthye në Bolonjë me fëmijët dhe u martua përsëri. Ai ishte një nga artistët më të respektuar në Bolonjë deri në fund  të jetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë