Gazeta Si – Të enjten në mëngjes, një burrë goditi me thikë një grup fëmijësh nën moshën tre vjeç, të cilët po luanin në parkun Pâquier, përballë liqenit Annecy, në zemër të qytetit Haute-Savoie në Francë.
Një bilanc fillestar tregon për katër fëmijë dhe dy të rritur të plagosur, tre prej tyre në rrezik për jetën.
Burri, i cili mbante një çallmë sipas disa dëshmitarëve, ka nisur sulmin rreth orës 9:45 dhe është neutralizuar pak më pas nga policia, e cila e ka qëlluar me armë zjarri dhe e ka plagosur.
Sipas mediave franceze, dyshohet se autori është një azilkërkues nga Siria dhe nuk dihen për momentin motivet e sulmit. Abdalmasih H aplikoi për azil në Francë nëntorin e kaluar. Në prill, atij iu dha statusi i refugjatit në Suedi.
Parlamenti francez ka mbajtur një minutë heshtje në Asamblenë Kombëtare duke ndërprerë punën për reformën e pensioneve. Sulmuesi dyshohet se është një sirian që kishte aplikuar për azil, i panjohur për shërbimet e policisë.
Një dëshmitar, Anthony, foli për rrjetin televiziv të lajmeve Bfm: “Isha duke vrapuar, në fillim mendova se ishte një lojë, të gjithë vraponin. Kur pashë gjithashtu karriget duke u rrëzuar gjatë vrapimit, kuptova se kishte diçka të çuditshme. Një femër më tha të mos shkoj përpara, se një burrë po i godiste me thikë të gjithë, vazhdova dhe u gjenda përballë sulmuesit, policët ishin aty përpara, por ishin të ngadaltë, nuk reaguan menjëher, burri kishte kohë të godiste me thike një zotëri të moshuar, dy herë, ndërkohë që policët që rrinin duke shikuar pa bërë asgjë.
U habita që nuk qëlluan menjëherë, gruaja e atij zotërisë rrinte aty pranë tij, për fat nuk u sulmua, por ishte në shok, si dhe unë”.
Dëshmitari tregon se filloi t’u bërtiste policëve “gjuani, gjuani!”, dhe “më në fund ata e bënë, por autori kishte kohë të godiste për herë të dytë. Isha gati të ndërhyja se policët nuk bënin dot gjë, u habita shumë nga ngadalësia e tyre. Burri ka qëndruar i heshtur gjatë sulmit, nuk ka thënë asgjë, duhet të ketë qenë 45 vjeç. Në një moment ai hoqi çallmën, përballë meje, nuk e kuptoj pse. Annecy është një qytet i qetë, bëj vrap në atë park çdo mëngjes, nuk e kisha imagjinuar kurrë se mund të ndodhte diçka e tillë”, – përfundon dëshmitari i ngjarjes.
Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin shkroi në Tëitter se “shumë njerëz, përfshirë fëmijë u plagosën nga një individ me thikë në një park në Annecy. Individi u arrestua falë ndërhyrjes shumë të shpejtë të policisë”.
Por dëshmia e Antonit, e cila përkundrazi flet për një ngadalësi të pakuptueshme të policëve, do të shkaktojë diskutim në Francë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



