Në fushë nuk duan të kthehen, të paktën jo pa patur siguri shëndetësore të përshtatshme. Pjesa dërrmuese e lojtarëve të Ligue 1 e 2 rreshtohen kundër rifillimit të kampionatit. Kjo është ajo që del nga një sondazh i sindikatës së lojtarëve, UNFP, në të cilin janë regjistruar 94% e lojtarëve profesionistë në Francë. Një rezultat i ngjashëm me atë të lojtareve femra që preferojnë të mos rrezikohen nga infektimi me Covid-19.
Lojtarët, të pyetur me një modul online, që u plotësua në mënyrë anonime, kanë shprehur shqetësime të dukshme për epideminë që ka detyruar autoritetet të pezullojnë kampionatet. Pothuajse të gjithë janë kundër një rifillimi në mungesë të masave të përshtatshme për të garantuar shëndetin. Lojtarëve nuk ju pëlqen as perspektiva për të luajtur në stadiume pa tifozë. Për më tepër, sipas publikimit të bërë nga L’Equipe, 80% kundërshtojnë idenë për të zeruar gjithçka, duke preferuar të zyrtarizohet si përfundimtare klasifikimi i javës së fundit.
Këto janë sinjale të qarta nga ana e protagonistëve të futbollit francez. Liga, aktualisht është duke përgatitur një plan për daljen progresive nga izolimi, njoftuar për në 11 maj nga presidenti i Republikës Emmanuel Macron. Qëllimi është të rifillojnë stërvitjet në fund të majit me kontrolle të shumta e grumbullime të skuadrave, për të rikuperuar 10 javët e mbetura nga 17 qershori në 25 korrik. Është e njohur tashmë data e sezonit të ri, shtyrë me tre javë në 23 gusht. Zyrtarizim i nevojshëm për të programuar derdhjen e të drejtave televizive.
Ndërkohë, Federata franceze ka pezulluar përfundimisht të gjithë kampionatet amatore, nga divizioni i katërt e poshtë. Por Sedan, i dyti në National 2, -5 nga kreu me vetëm 4 gola të pësuar në 21 javë, ka përgatitur ankimim si përpara Komitetit olimpik ashtu dhe Gjykatës administrative. Një precedent që mund ta bëjë edhe më të komplikuar çdo vendim të ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




