Bota

Francë, 10 dënime për bullizëm kibernetik kundër Brigitte Macron

Gazeta Si – Një gjykatë në Paris ka dënuar 10 persona me akuzën e bullizmit kibernetik ndaj Zonjës së Parë sranceze, Brigitte Macron, duke vendosur dënime që variojnë nga një kurs ndërgjegjësimi për ngacmimin kibernetik, deri në tetë muaj burg me kusht.

Gjykata vuri në dukje se të pandehurit bënë komente “veçanërisht degraduese, ofenduese dhe keqdashëse” që i referoheshin pretendimeve të rreme drejtuar Brigitte Macron në lidhje me identitetin e saj të supozuar transgjinor dhe veprat e dyshuara pedofilike.

Të pandehurit, tetë burra dhe dy gra të moshës midis 41 dhe 65 vjeç, akuzohen për postimin e “komente të shumta keqdashëse” duke pretenduar në mënyrë të rreme se gruaja e presidentit Emmanuel Macron, ka lindur burrë dhe duke lidhur diferencën prej 24 vitesh në moshë midis tyre dhe burrit të saj me pedofilinë. Disa nga postimet janë parë dhjetëra mijëra herë.

Zonja e parë franceze nuk mori pjesë në gjyqin dy-ditor, i cili u mbajt në tetor. Duke folur në televizionin kombëtar TF1 të dielën, ajo tha se kishte nisur procedurat ligjore për të “dhënë një shembull” në luftën kundër bullizimit.

Vajza e saj, Tiphaine Auzière, dëshmoi për atë që e përshkroi si “përkeqësim” të jetës së nënës së saj që kur bullizmi online u përshkallëzua.

“Ajo nuk mund t’i injorojë gjërat e tmerrshme që thuhen për të”, i tha Auzière gjykatës, duke shtuar se ndikimi është shtrirë në të gjithë familjen, përfshirë nipërit e mbesat e Macron.

Rasti vjen pas viteve të tëra teorish konspirative që pretendonin në mënyrë të rreme, se Brigitte Macron lindi si Jean-Michel Trogneux, që në fakt është emri i vëllait të saj.

Çifti presidencial francez, ngriti gjithashtu një padi për shpifje në Shtetet e Bashkuara kundër influencueses konservatore, Candace Owens.

Macronët, të martuar që nga viti 2007, u takuan në shkollën e mesme, ku ai ishte nxënës dhe ajo ishte mësuese.

Brigitte Macron, 24 vjet më e madhe se burri i saj, atëherë quhej Brigitte Auzière, e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Emmanuel Macron, 48 vjeç, është President i Francës që nga viti 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë