Eliminimi i Francës nga Euro 2020 është shoqëruar me disa skena të shëmtuara në tribunën e stadiumit të Bukureshtit, ku u luajt ndeshja me Zvicrën. Zënka familjarësh të futbollistëve, siç ndodh rëndom në nivelet amatore të futbollit. Protagonistë, sipas “Rmc Sport”, kanë qenë nëna e Adrien Rabiot, Veronika, dhe familjarët e Pol Pogba dhe Kilian Mbape. Një sherr verbal në tribunë, që nuk u shpëtoi mediave.
Nëna e Rabiot ka debatuar me klanin Pogba (autor i një goli shumë të bukur) për gabimin që solli golin e barazimit 3-3 të Zvicrës në minutën e fundit të ndeshjes. Dhe në fund, kur Mbape humbi penalltinë vendimtare, nëna e lojtarit të Juventusit është kapur me të atin e Kilianit dhe më pastaj është zënë edhe me nënën e tij. Gazetarët ishin aty afër dhe kanë parë sjelljen ndaj lojtarit të PSG-së, që Veronika e konsideron arrogant.
Familjarët e futbollistëve të tjerë të Francës që ishin prezentë, e kanë kritikuar Veronikën për mënyrën e sjelljes dhe kohën kur ajo e ka bërë këtë gjë. Një situatë shumë e shëmtuar, të gjithë kundër të gjithëve te Franca, kështu që detyra e parë e stafit teknik është që të rikthejë qetësinë në ambientin e brendshëm të “gjelave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.