Bota

Franca i përgjigjet shefit të NATO-s: Europianët mund t’ia dalin edhe pa SHBA-në

Nga Gazeta ‘Si’– Franca reagoi ashpër ndaj deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili argumentoi se Europa nuk mund të mbrohet pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Rutte i bëri këto deklarata gjatë një seance të Parlamentit Europian, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga eurodeputeti francez i ekstremit të djathtë, Pierre-Romain Thionnet, i cili tha se ideja e një ushtrie europiane është anakronike dhe nuk mund të përballojë sfidat moderne.

Përgjigja e Ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, ishte e drejtpërdrejtë dhe kategorike: “Jo, i dashur Mark Rutte. Europianët mund dhe duhet të marrin përsipër sigurinë e tyre. Edhe SHBA-të janë dakord. Kjo është shtylla europiane e NATO-s”, tha ai.

Kundërshtimi i Francës ndaj deklaratave të Rutte u përforcua nga zyrtarë të tjerë, siç është Muriel Domenech, një ish-ambasador francez në NATO, i cila i tha në  X se strategjia e forcimit të sigurisë europiane përmes garancisë amerikane është e vjetruar dhe i dërgon mesazhin e gabuar Rusisë.

Franca nuk është i vetmi vend që mbështet forcimin e shtyllës evropiane të NATO-s. Ministrja franceze e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, tha se realiteti i sotëm kërkon forcimin e pranisë ushtarake të Europës brenda NATO-s dhe se kjo ide, e propozuar nga Franca disa vjet më parë, tani mbështetet nga vende të tjera, siç është Gjermania.

Ky diskutim vjen në një kohë kur Uashingtoni, nën udhëheqjen e Trump, ka deklaruar se Amerika do të kufizojë përfshirjen e saj në sigurinë europiane. Sipas strategjisë së re të mbrojtjes kombëtare të SHBA-së të publikuar të premten, evropianët duhet të marrin iniciativën përballë kërcënimeve, dhe u theksua se Europa është ekonomikisht dhe ushtarakisht e aftë të mbrohet, veçanërisht kundër Rusisë.

Përveç kësaj, vendimi i SHBA-së për të nxitur rritjen e shpenzimeve ushtarake në Evropë ka pasur ndikim, pasi vitin e kaluar arriti të bindë vendet evropiane që të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5% të PBB-së.

Ministri i Jashtëm francez tha se BE-ja duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit, pa u varur nga Amerika, duke theksuar nevojën për një shtyllë të fortë evropiane brenda NATO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë