Politike

Franca do të ndryshojë nga “koka tek këmbët” procesin e integrimit!

Shqiptarët po presin sot vendimin për hapjen ose jo të negociatave, por Franca ka të tjera plane. Ajo planifikon të ndryshojë “nga koka tek këmbët” procesin e integrimit në BE.

Një ditë përpara mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së, Parisi ka hedhur idenë se për t’u hapur negociatat, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të plotësojnë kushte shtesë dhe të mbahen nën një monitorim të ashpër për të mos bërë hapa pas.

Në qëndrimin e saj përpara gazetarëve, ministrja franceze për çështjet evropiane mbajti sot një qëndrim të moderuar duke thënë se "Franca kërkon reformimin e procesit të zgjerimit, por nuk është kundër anëtarësimit të Ballkanit". Në fjalën e saj, Amélie de Montchalin tha se procesi i zgjerimit është zhgënjyes, i gjatë për vendet përkatëse dhe nuk krijon besim te vendet anëtare, sepse tretet në kohë.

“Nuk jam sot këtu për të vendosur veto, por në një frymë shkëmbimi mendimesh mbi dy parime. Së pari, hapja e negociatave kërkon përgatitje nga Bashkimi Europian dhe ne konsiderojmë sot që duhet të rishikojmë në thellësi procesin e negociatave të anëtarësimit”, u shpreh përpara fillimit të takimit të ministrave të BE-së, Montchalin.

Sipas Francës, BE-ja duhet të diskutojë mbi reformën e procesit të zgjerimit pasi sipas saj ky proces nuk është më efikas.

Amélie de Montchalin, Gazeta Si, 15 tetor 2019

“Kapitujt që hapen e mbyllen si një telenovelë pa fund nuk i përgjigjen pritshmërisë së qytetarëve në rajon. Ne kemi parë fluks migracioni nga vendet që kanë përfunduar negociatat dhe janë bërë anëtare, si Rumania, Bullgaria apo Kroacia. Pra, është një çështje qasje mbi procesin”, shprehet ministrja franceze. “Së dyti, duhet të sigurohemi se reformat që janë kërkuar për t’u zbatuar si kushte për hapjen e negociatave të jenë reale. Që të jenë votuar, por edhe zbatuar. Këtë do diskutojmë sot, Por, dua të theksoj, se Franca nuk i kundërvihet perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit”, shtoi ajo.

Por çfarë po përpiqet të bëjë Franca?

Qeveria e presidentit Emmanuel Macron duket se dëshiron të ndalojë zgjerimin e BE-së në pritje të reformave të mëdha, pavarësisht paralajmërimit të ekspertëve se kjo mund të "destabilizojë" Ballkanin Perëndimor.

"Ne do të dëshironim që Komisioni Europian të vendosë në tryezë një metodologji të re për negociatat e pranimit" tha një diplomat francez të hënën për “EUobserver”.

Sipas Francës, metoda e tanishme e hapjes së negociatave dhe më pas kapitujve duhet të ndryshojë. Ai thotë se në rastin më të mirë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do t’i hapen negociatat vitin e ardhshëm

“Edhe nëse kandidati është një shtet i prapambetur që nuk merr ndryshimet e thella, ai hap kapitujt njëri pas tjetrit. Kapitujt e hapur gjatë negociata duhen të mbyllen përsëri nëse kandidati bën hapa pas”, shprehet ai.

Sipas diplomatit, Franca po kërkon që Europa gjithashtu duhet të "përmirësojë kapacitetin për të përvetësuar anëtarët e rinj" para se të shkojë se t’i pranojë.

Duke folur për bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ai tha se
nuk është e mundur të hapen negociata në këtë fazë, sepse të dyja duhet të bëjnë "përpjekje shtesë" për çështje të tilla si sundimi i ligjit dhe korrupsioni.

Emmanuel Macron, Amélie de Montchalin, Gazeta Si, 15 tetor 2019

“Dhe BE mund të jetë e gatshme t’i japë dritën jeshile vitin e ardhshëm nëse gjërat shkojnë mirë”, shtoi diplomati. Pozicioni i Francës bie ndesh me atë të Gjermanisë dhe Italisë, si dhe Hungarisë, Polonisë, Çekisë dhe Sllovakisë, të cilët duan hapjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën menjëherë.

Ndërkohë, Danimarka, Holanda dhe Spanja, dëshirojnë të fillojnë bisedimet me Maqedoninë e Veriut, por jo me Shqipërinë, duke kërkuar që vendi ynë të ndërmarë reformë të mëtejshme.

"Një shumicë shumë e gjerë në BE është në favor të hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë", thotë një diplomati evropian për “EuObserver”.
"Kushdo që bllokon procesin e pranimit në BE tani mban përgjegjësi për destabilizimin e rajonit” shtoi diplomati.

Por për Francën, reformimi i vendeve të Ballkanit dhe vetë procesit të anëtarësimit është për momentin më i rëndësishëm se pasojat e shtyrjes për të tretën herë radhazi.

Negociatat, si mjet për pushtet në BE

Për presidentin francez Emmanuel Macron, zgjerimi është jo vetëm një çështje e nxehtë, por edhe një “mjet” për të fituar më shumë ndikim dhe pushtet brenda vetë BE-së.

Fillimisht u raportua se Macron dhe kancelaria gjermane Merkel kishin arritur një marrëveshje paraprake për hapjen e negociatave me kushte me Shqipërinë dhe dhënien e dritës jeshile për Maqedoninë. Por duket se gjithçka ndryshoi pas refuzimit të komisioneres franceze në Parlamentin Europian.

Sylvie Goulard, aleatja e ngushtë e Macron nuk u aprovua nga eurodeputetët për shkak të skandaleve financiare, një refuzim që duket se “xhindosi” presidentin francez. Refuzimi i Goulard, ish anëtare e Parlamentit Evropian, ishte një goditje e rëndë për Presidentin Macron, i cili fajësoi drejtuesit e grupeve politike rivale. Kreu i Elizesë duket se ka vendosur të “nxjerrë dhëmbët” duke kërcënuar madje se Franca nuk do të mbështesë as marrjen e mandatit të Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit Europian.

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron

Dhe sigurisht, çështja me e diskutueshme për momentin janë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një çështje me anë të së cilës, Macron mund t’u dalë kundër shumicës së vendeve anëtare që kërkojnë dhënien e “dritës jeshile”.

Vetë Komisioni Europian, tha se ishte e gabuar të shtonin më shumë kushte sepse Tirana dhe Shkupi i kishin përmbushur objektivat e përcaktuara nga BE. Por ai që duhet të ishte një vendim i bazuar mbi interesat gjeostrategjike të unionin europian, është kthyer tanimë në “luftë për pushtet” për Francën.

Duke qenë se vendimi duhet të jetë unanim, Franca ka mundësi të vendosë kushtet e saj për reformimin e procesit të zgjerimit, për të çuar më pas në vetëreformimin e unionit, i cili ka qënë një nga premtimet me të cilat Macron erdhi në pushtet.

"Është duke u bërë më e vështirë dhe e vështirë të japësh një shpjegim për vonesën," tha Komisioneri Europian, Johannes Hahn.

Presidenti Macron deklaroi në disa raste se BE së pari duhet të thellojë format e saj, dhe pastaj të pranojë vendet e reja anëtare. Por sipas ritmit aktual të anëtarësimit të Serbisë dhe Malit të Zi, procesi i bisedimeve do të zgjasë më shumë se një dekadë, gjë që lë kohë të mjaftueshme për reformimin e vetë BE-së, gjë që hedh poshtë edhe argumentin e Macron.

Në këto kushte, strategjia kundër zgjerimit, duket se i shërben Francës për të forcuar pozicionin e vetë brenda BE-së. Hedhja poshtë e qëndrimit të Gjermanisë, Italisë dhe vendeve të Europës Juglindore dhe duke venë mbi tryezë kushtet e tij për negociatat me Shkupin me Tiranën, i mundëson Macron të thotë fjalën e fundit mbi bisedimet e anëtarësimit. Dhe në betejën e brendshme për pushtet në BE, ai që thotë fjalën e fundit, është më i pushtetshmi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë