Luhet sot ndeshja e parë e madhe e Euro 2020, Francë-Gjermani, në orën 21:00. Pak orë më parë luhet edhe sfida tjetër e “grupit të zjarrit”, Hungari-Portugali. Franca ka humbur vetëm një herë në ndeshjen inauguruese të Europianëve, Gjermania asnjëherë. Didier Deshamp ka shansin të shpallet fitues edhe si trajner, përveçse si lojtar. Francë-Gjermani është një nga ato ndeshje që pa frikë mund të quhet finale e parakohshme, pasi përplasen dy nga skuadrat favorite për fitimin e Euro 2020.
Është ndeshja e 6-të mes Francës dhe Gjermanisë në një kompeticion ndërkombëtar, – e para në fazën e grupeve, – me një bilanc krejtësisht të ekuilibruar, me 2 fitore për secilën skuadër dhe 1 barazim. Precedenti i vetëm në Europianë është ai i gjysmëfinales së 2016-ës, kur fituan francezët 2-0, falë 2 golave të Grizman.
Për Francën është pjesëmarrja e 10-të në Europian, e 8-a radhazi. Hera e fundit që francezët nuk janë kualifikuar, i takon vitit 1988. Gjermania dhe Spanja e kanë fituar Europianin më shumë herë, nga 3 herë, kurse Franca ka fituar dy herë (1984 dhe 2000). Nga viti 2014, Franca ka fituar 14 nga 19 ndeshjet e fundit ndërkombëtare. Humbja e vetme e Francës në ndeshjen e parë të Europianit është ajo e vitit 1960 (4-5 kundër Jugosllavisë). Gjermania nuk ka humbur kurrë në start.
Gjermania është skuadra, ndaj së cilës Grizman ka shënuar më shumë gola. Sulmuesi ka realizuar më shumë gola në dy turnetë e fundit ndërkombëtarë: 10 gola dhe 4 asiste në 14 ndeshjes mes Euro 2016 dhe Botërorit 2018. Nëse Franca fiton Euro 2020, Didier Deshamp do të bëhet i pari në botë që fiton një Botëror dhe një Europian si lojtar dhe si trajner. Për Joakim Lëv është ndeshja e 18-të si trajner në Europian, një rekord ky. Në ndeshjen e sotme Gjermania nuk do të ketë të gatshëm mesfushorin Leon Goretzka. Ndeshja do të zhvillohet në Mynih dhe gjermanët kanë avantazhin e fushës.
Po sot do të luhet edhe ndeshja Hungari-Portugali, në orën 18:00. Portugalia nuk duhet të gabojë, nëse pretendon të kualifikohet në Grupin F. Zhoao Kanselo ka dalë pozitiv me Covid-19 dhe nuk do të jetë i gatshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.