Bota

Franca dhe Belgjika pro kërkesës për fletarreste ndaj liderëve të Izraelit dhe Hamasit

Franca dhe Belgjika kanë thënë të martën se e mbështesin kërkesën e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), për lëshimin e fletarrestimeve për liderët e Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ministria e Jashtme e Francës tha se e "mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pavarësinë e saj, dhe luftën kundër mosndëshkueshmërisë në të gjitha situatat".

"Krimet e kryera në Gazë duhet të ndiqen penalisht patjetër në nivelet më të larta, pavarësisht se kush është kryerësi", tha ministrja e Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib.

Kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, tha të hënën se beson se Netanyahu, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe tre liderë të Hamasit - Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh - janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, e kanë dënuar kërkesën e Khanit për fletarrestime kundër liderëve të tyre.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden, e denoncoi kërkesën e kryeprokurorit për të arrestuar Netanyahun dhe Gallantin, duke thënë se “çfarëdo që ka dashur të thotë prokurori, nuk ka asnjë paralelizëm mes Izraelit dhe Hamasit.”

Prokurori duhet të kërkojë lëshimin e fletarrestimeve nga një panel prej tre gjyqtarësh, të cilëve mund t’iu duhen deri në dy muaj kohë për t’i shqyrtuar provat dhe për të vendosur nëse mund të procedohet.

Zëdhënësi i GJNP-së, Fadi Al-Abdallah, i tha Radios Evropa e Lirë se gjykatësit do të “marrin vendimin e tyre brenda afateve”, por nuk specifikoi ndonjë datë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë