Politike

Fraksioni apo shkrirja në PD, çfarë do të ndodhë në grupimin më të madh të opozitës? Opsionet për bashkim në sfondin e arrestimit eventual të Berishës

Nga Gazeta ‘Si’- Në këto 33 vite, demokratët kanë përjetuar momente të vështira, por asnjëherë nuk kanë qenë në pozitat, kur lideri i tyre është përpara një kërkese serioze për arrestim. Kjo do ta komplikojë më shumë situatën, veçanërisht tani që po flitet për projektin e bashkimit mes grupimeve të Sali Berishës dhe atij të Gazment Bardhit.
Si do të ndodhë, me çfarë kushtesh? Kush do tënegociojë me kë, nëse Berisha izolohet? Të gjitha pyetjeve nuk i jepet dot përgjigje sot, por një gjë kemi mundur ta konfirmojme: arrestimi eventual i Sali Berishës nuk do të përbëjë pengesë për procesin e bashkimit. Në një retrospektivë të shkurtër, mund të thuhet se shumë gjëra kanë ndryshuar që nga 19 maji 2021, kur Lulzim Basha vendosi pezullimin/përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD.

Shpallja non grata nga SHBA e Sali Berishës ndau në dy grupe demokratët. Ata të Berishës u provuan shumë shpejt se ishin disa herë më shumë se ata të Lulzim Bashës, megjithëse ky drejtoi për 10 vite PD-në. Kishte vetëm një vend, ku Basha ishte shumicë brenda opozitës, në Parlament. Por edhe këtë nuk mundi ta mbajë për shumë gjatë, pasi me humbjen e zgjedhjeve të pjesshme të 6 majit 2022, deputetët i kërkuan dorëheqjen dhe pesha e Bashës ra ndjeshëm. Paralelisht, figura kryesore që fitoi një peshë politike në kampin proBasha ishte Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili pas zgjedhjeve lokale 2023, me dorëheqjen e Enkelejd Alibeajt, mori edhe drejtimin e grupit parlamentar. Por zgjedhjet lokale të majit 2023 nuk sollën vetëm këtë ndryshim mekanik në krye të një grupi të përçarë të PD. Kjo ishte koha që solli të paimagjinueshmen: ndarjen e Gazment Bardhit nga Lulzim Basha.

Argumenti kryesor i njeriut më të afërt të Bashës brenda PD që prej 2019-ës ishte se rikthimi i Bashës do të sillte dobësimin e  mëtejshëm të partisë zyrtare, e cila doli me një rezultat katastrofik në zgjedhjet lokale. Kjo është koha, kur Gazment Bardhi, me përplasje të forta me Sali Berishën, nisi të mendojë seriozisht bashkimin me pjesën tjetër të grupit, megjithë ndarjet e mëdha për çështje madhore që palët kishin, duke nisur nga qendrimi ndaj SHBA apo SPAK-ut. Me moton kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa na ndajnë, Gazment Bardhi udhëhoqi në shtator bashkimin e grupit parlamentar. Refuzimi i Lulzim Bashës për t’u bërë pjesë e kësaj lëvizjeje në parlament u komentua edhe nga Gazment Bardhi si mungesë lirie e Lulzim Bashës. Praktikisht, duke mbajtur të njëjtin qendrim si Berisha, i cili e cilëson peng të Edi Ramës. Deri tani, grupi parlamentar ka funksionuar pa ndasi. Përkundrazi! Berisha i ka dhënë mbështetje pa rezerva Gazment Bardhit në çdo akt të kërkuar prej tij brenda parlamentit. Edhe idea e rezistencës parlamentare, siç po ndodh prej disa javësh, ka qenë e Gazment Bardhit. Dhe Berisha e ka mbështetur, duke i dhënë besim të plotë në publik si kryetar i grupit.
Por pse nuk po ndodh bashkimi në parti, njësoj si në parlament? 

Bashkimi në parti besohet se do të rriste frymën mes demokratëve para zgjedhjeve parlamentare, duke u dhënë më shumë shpresë se diçka mund të ndryshojë. Këto 3 vite kanë shërbyer për të kuptuar se Gazment Bardhi, të cilin e ndjekin rreth 15 deputetë në grup, u përket atyre politikanëve që besojnë se Sali Berisha nuk është zgjdhja më e mirë për demokratët. Por me ftohtësinë e një juristi të sprovuar, ai ka arsyetuar se nuk mund të ketë kurrë bashkim të PD-së, nëse në të nuk bën pjesë aksioneri më i madh i votës së demokratëve, Sali Berisha. Dhe ky është një kapërcim shumë i madh për kreun e grupit. Fakti që zoti Bardhi pohon publikisht se po punon për një projekt bashkimi me zotin Berisha do të thotë se ka pranuar edhe opsionin më pak të pëlqyeshëm. Që në zgjedhjet 2025-ës zgjedhjet t’i udhëheqë Sali Berisha. Ish kryeministri tregoi në 2 dhjetor në Kuvendin Kombëtar të votëbesimit të tij se është i gatshëm të ndryshojë statutin për grupin e Bardhit, nëse kjo do të nevojitej. Xhesti konkret ishte kalimi i kompetencave nga Kuvendi tek Këshilli Kombëtar, duke i lejuar strukturave të zotit Berisha të jenë më të zhdërvjellëta, kur të nevojiten ndryshimet statutore për bashkimin. Tani, i takon grupit të deputetëve të Gazment Bardhit që të veprojnë. Sfida e tyre e madhe është të sqarojnë mes vetes çfarë do t’i kërkojnë Berishës.

Mes deputetëve të Gazment Bardhit ka më shumë se një opinion për mënyrën sesi duhet të ndodhë bashkimi. Janë disa që besojnë se duhet të përfshihen në PD-në e Berishës si fraksion, duke qenë se edhe statuti i favorizon në këtë drejtim. Rregullat e fraksionit nuk janë të shkruara, por fraksioni, përgjithësisht funksionon me një platformë që s’ndjek rrugën zyrtare. Nga kjo mund të kenë edhe disa përfitime, përshembull një numër te caktuar kandidatësh për deputetë, në vende që konsiderohen të sigurta. Por ka të tjerë që nuk janë partizanë të fraksionit, pasi grupi do të identifikohej si pakicë brenda partisë, pavarësisht bashkimit, duke marrë rrezikun që në bazë të mos rritet pëlqyeshmëria, e cila shërben për llogaritë e së ardhmes. Kundërshtarët e fraksionit propozojnë shkrirjen e plotë me strukturat e zotit Berisha, që do të thotë pjesëmarrje në primare me garë, si gjithë të tjerët.

Deri tani, deputetët e drejtuar nga Gazment Bardhi po i diskutojnë këto opsione në tavolina jorformale dhe ende nuk ka asnjë vendim për të mandatuar kryetarin e grupit që të hyjë në bisedime me Sali Berishën. Ky ekuakucion mund të ketë shumë të panjohura, por të dyja palët janë shumë të qarta në një gjë: proceset gjyqësore ku ndodhet PD-ja, pavarësisht vendimit, nuk e ndikojnë aspak procesin politik të bashkimit. Të gjithë treguesit të çojnë në përfundimin se këto nuk do të jenë negociata shumë të vështira. Sali Berishës i intereson grupi i Gazment Bardhit në parti për të dhënë mesazhin e bashkimit të asaj që e cilëson si opozita e vërtetë. Duke forcuar partinë me një grupim të rëndësishëm në parlament, Sali Berisha përforcon dhe pozicionin e tij në fushën e lojës politike, ku kundërshtarët i ka seriozë: SHBA, Edi Ramën dhe SPAK-un. Edhe deputetëve të Gazment Bardhit, përfshirë atë vetë, u intereson arritja e një marrëveshje për të mos çuar dëm investimin e tyre politik. Mbi të gjitha, Gazment Bardhit i duhet të jetë në pjesën më të madhe të partisë, pavarësisht rezultatit të 2025-ës. Deri atëherë, do të jetë qartësuar edhe diçka tjetër shumë e rëndësishme, roli i Argita Malltezit në të ardhmen e PD. Shfaqja së bashku e Sali Berishës dhe vajzës së tij në 33 vjetorin e themelimit ishte një befasi tjetër e madhe pas fjalës që Argita mbajti në Kuvendin Kombëtar të 2 dhjetorit.

Të dyja ngjarjet ndodhin për herë të parë në 33 vjet. Dhe 2 herë rastësi politike brenda pak ditësh nuk mund të ketë! 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë