Ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi per 8 ore Kuvendin Kombëtar ku moren pjesë 1425 delegatë.
I shoqëriar nga bashkëshortja e tij, Berisha mbërriti i fundit në Kuvend.
Ai u takua me Jozefina Topallin që kishte mbërritur më herët e ftuar nga pak ditë më parë nga Komisioni i Rithemelimit.
Kuvendi i hapi punimet me deputetin e PD-së, Belind Këllici.
“Ky Kuvend i ka shanset të kthehet në historik se nëse sot Shqipëria lëngon, atdheu qeveriset keq, sundohet nga një klikë me në krye Ramën që merr gjithnjë e më shumë pushtet, kjo ka ndodhur padyshim dhe për fajin tonë.
Ne duhet të mbajmë përgjegjësitë që na takojnë pse e lejuam këtë realitet të ndodhë.
Ky realitet i narkoshtetit, nuk do kishte ndodhur nëse përballë do kishte një opozitë të fortë të lirë të pa kapur, me një opozitë të tillë të vërtetë që nuk luhatet sipas interesave Rama s’do kishte pasur asnjë shans.
Gjendja e padurueshme do ndryshoje. Rruga e ndryshimit nuk kalon nga qeveria, ata janë të provuar që janë e njëjta bandë që fusin duart në votën e qytetarëve, i vetmi ndryshim që kemi në dore e do e bëjmë është ai që vjen përmes ndryshimit tonë.
Ne s’do jemi kurrë një opozitë fasadë. Kjo rrugë nesër do e ndryshojë një herë e mirë Shqipërinë.
Ky moment është sot pikërisht në këtë Kuvend ku shumica e demokratëve ka marrë vendimin për tu përballur me keqqeverisjen.
Pas përplasjeve jemi sërish bashkë me dorën shtrirë për çdo demokrat për secilin që do një Shqipëri tjetër.
Ky është vendimi i madh i këtij Kuvendi, kjo është opozita e re që konfirmohet sot në këtë sallë.
Në këtë sallë me 1958 karrige të mos ulen më kurrë 5004 delegatë, duhet të vendosim sot votën e lirë si modelin e vetëm për të ndërtuar strukturat e partisë sonë”, tha Këllici. Më tej fjjalën e mori Arben Imami.
Ajo që ra në sy në fjalimet e Këllicit, Imamit me tej Bardh Spahiut dhe Jozefina Topallit por edhe një dokumentari të gjatë që u shfaq në fillim të punimeve ishte ndarja me Lulzim Bashën.
Gjatë gjithë dokumentarit Basha u atakua për vendimin që mori ndaj Berishës dhe humbjen e njëpasnjëshme të PD-së në zgjedhje, qëndrimet kontraditore të tij për zgjedhjet dhe hapat e mëvonshëm të tij.
Sali Berisha fitoi protagonistin në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga vetë ai. Një Kuvend kundër Lulzim Bashës në frymë dhe përmbajtje fjalimesh, por me mungesë të madhe të grupit parlamentar të PD-së.
Pothuajse të gjithë ata 30 që firmosën platformën për shtyrjen e zgjedhjeve të degëve dhe të vetë këtij kuvendi e kanë bojkotuar atë. Ne Kuvend moren pjese vetem 17 deputete te grupit aktual
Kuvendi i Partisë Demokratike miratoi edhe një rezolutë që në thelb ishte kundër Lulzim Bashës dhe shkarkimit të Enkelejd Alibeajt nga detyra e kryetarit të grupit parlamentar.
“Partia Demokratike: Dënon dhe distancohet nga praktika e bojkotit të zgjedhjeve.
Distancohet nga praktika e ‘djegies’ së mandateve parlamentare. mbrojtjes së këtyre interesave është Kuvendi i Shqipërisë.
Dënon dhe distancohet nga metodat jodemokratike në drejtimin e partisë, duke i dhënë fund Kryetarokracisë, vendim-marrjes arbitrare individuale, drejtimit të partisë me struktura ekstrapartiake dhe pushtetit të familjarëve, miqve apo këshilluesve privatë në vendim-marrjen dhe veprimtarinë e partisë.
Dënon dhe distancohet nga praktikat informale dhe jo transparente të mbledhjes dhe menaxhimit jashtëpartiak të fondeve për partinë.
Ajo dënon dhe distancohet nga çdo përfshirje në skema financimi dhe qarkullimi parash përmes kompanive off-shore dhe kanaleve jo të ligjshme e jo transparente financiare. Ajo angazhohet në menaxhimin profesional dhe transparencën e plotë të të gjitha financave partiake”, thuhet në rezolutën e PD.
Në rezolutë thuhet gjithashtu se: “Kuvendi distancohet nga praktikat e lobimit me pagesë dhe dënon përdorimin e lobimit për të ndërhyrë në proceset vendim-marrëse dhe të brendshme të vendeve të tjera”.
“…Të gjithë kandidatët për poste publike (deputetë dhe kryebashkiakë) dhe të gjithë drejtuesit kryesorë të partisë në të gjitha nivelet (kryetarët nga qendra në bazë) do të përzgjidhen përmes kësaj metode, pra modelit një anëtar një votë! Vendime më të rëndësishme të politikave partiake do t’i nënshtrohen referendumit të anëtarësisë.
— Rikonfirmon vendosmërinë për të garantuar ripërtëritjen e vazhdueshme të elitave drejtuese partiake, për të garantuar aftësinë dhe cilësinë e drejtuesve të saj. Largimi i kryetarit dhe ekipit të tij nga drejtimi i partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme mbetet parim themelor dhe i panegociueshëm.
— Rikonfirmon parimin e hapjes së partisë, duke përcaktuar që çdo katër vjet të rinovohet të paktën një e treta e të gjithë drejtuesve qëndrorë statutorë të partisë.
Angazhohet në mënyrë të veçantë për hapjen ndaj rinisë dhe grave: brenda vitit 2025, 40 përqind e të gijthë drejtuesve qëndrorë statutorë të partisë të jenë gra dhe 30 përqind nën moshën 40 vjeç…”
Ndërkohë, deputeti Belind Këlliçi njoftoi se posti i kryetarit të Grupit të Parlamentar të PD-së konsiderohet si vakant për shkak se Partisë Demokratike i mungojnë tashmë nënkryetarët e saj.
Vendimi u hodh në votim dhe u ngarkua Këshilli i Ri Kombëtar i PD-së për zgjedhjen e kreut të Grupit të PD-së.
“Në mbështetje të statutit të Partisë Demokratike, për organizimin dhe funksionimin e grupit parlamentar të PD, me propozim të Rithemelimit, Kuvendi vendosi të konstatojë vakancën e kryetarit të grupit parlamentar të PD. Ngarkohet Këshilli Kombëtar për zgjedhjen”, tha Këlliçi.
Ndërsa data për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së do të jetë 22 maji.
Kuvendi i mbylli punimet mbasdite me votimin e listes se anetareve te Keshillit Kombetar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.