Ora 03.54. Data 26 nëntor 2019. Shqipëria do provonte katastrofën më të madhe në prag të festës, ku gëzimet e përvjetorët, do harronin çdo dhimbje e traumë. Por, natyra të prek mbase aty ku do vërtetonte se ishte pika jonë më e dobët: Logjistika. Por Thumana, edhe njëherë vërtetoi për çdo shqiptar se ishte vendi ku solidariteti njerëzor i mblodhi të gjithë bashkë, me ato forca të shumta e pak logjistikë. Pa statuse, e plot dhimbje. Shpesh pa fjalë. Fytyra të dërmuara që e kishin përjetuar edhe vetë atë ankthin e mesnatës, ku fëmijët e tyre ndërsa bërtisnin, e traumat nuk u kishin shkuar ende, u thirrën edhe vetë nën urgjencë. Punuan pa ndalim. Madje “u harrua” të ushqeheshin. Hanin tymin. Shikuan përmes syve të tyre atë që veçse filmat horror do mund ta bënin skenar. Gërmuan madje edhe në ato vende ku nuk ishte askush. Vrapuan. U ngjitën me vinç. Lidhën pirgje me duart e mëdha, aty tok ku FNSH, Zjarrfikës, Polici apo RENEA, ndodhej për vëllezërit dhe motrat e tyre, kush duke parë ata prindër që bërtisnin për fëmijët, kush për gjithë pjesëtarët e familjeve, e kush duhet t’ia thoshte i pari… se ai aty poshtë, nuk lëshonte më piskama dhimbjeje?
Nuk kishte më nga ata burra, që mund t’i mendojë dikush. Kishte plot lot, të atyre çunakëve të thirrur me urgjencë, të beretave tona shqiptare, që ndryshe nga teoria, praktika në terren… i përloti keq, nga ato që shihnin, nga një derë në ajër, por edhe nga një orë e kthyer mbrapsht që diku një natë më parë, duhej të kishte mbetur. Nuk kishte më askush forcë për ta ndalur, e as atë tik-takun që mund të dëgjohej teksa minutat dhe sekondat ecnin. Sy të përlotur, duar e flegra të zbardhura nga pluhuri i tullave që kaloheshin nga dora në dorë; minuta, çaste, sirena dhe pritje makthi. Pirgje të mëdha betoni të përziera me krevate, batanije e jorganë, dollapë apo çanta të ngelura ende të varura aty në mure. Mbase brenda saj kursimet e fundme, mbase ishte ajo nëna që përqafoi nipin apo ai çifti që u gjet i përqafuar. E tashmë e gjithë Shqipëria nuk po fle më. Më shumë se 200 lëkundje sizmike në 48 orë. Më i fundmi 5.6 richter. Shumë telefonata nga gjithë miqtë kudo në Tiranë… krisje pothuajse në çdo pallat. Shqipëria po ndjen frikë nga mëma natyrë, në vigjilje të Pavarësisë së saj. A ka më fjalë? A thamë gjithçka? A folëm me çdokënd? A ndihmuam këdo qoftë me zjarrin e një duhani që thithej, si ajër? A pamë lot e dhimbje e empatizëm mjaftueshëm?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.