Ka ndodhur

Shtatë të arrestuar për fotografim të fletës së votimit, mes tyre 2 gra

Gazeta Si – Shtatë persona, mes tyre 2 gra, njëra në Elbasan dhe tjetra në Tiranë, janë arrestuar me urdhër të prokurorive respektive, pasi u kapën duke fotografuar votën gjatë procesit të votimit të zgjedhjeve parlamentare.

Policia e Elbasanit, njofton se M.C., 56 vjeçe akuzohet për veprën penale “shkelja e fshetësisë së votimit”. Po ashtu janë sekuestruar si provë materiale telefoni i saj, si dhe janë marrë deklarime personave që kanë dijeni.

Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe gruaja tjetër votuese në Tiranë. “Kryetari i Komisionit Zonal të Qendrës së Votimit në qendër votimi në Tiranë pasi konstatoi shtetasen A.H. duke fotografuar fletën e votimit denoncoi rastin. Pas marrjes së njoftimit, menjëherë në vendngjarje është dërguar grupi hetimor dhe u identifikua shtetasja si dhe administruan aktet përkatëse. Në përfundim të veprimeve paraprake të kryera, u arrestua shtetasja A.H., e dyshuar si autore e veprës penale të “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, – njofton Prokuroria.

Po ashtu, Policia e Tiranës, njoftoi se ka arrestuar dhe 3 persona të tjerë për fotografimin e fletës së votimit.

“Në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këto raste, është bërë arrestimi në flagrancë i këtyre 2 shtetasve, konkretisht H. D., 57 vjeç dhe R. L., 28 vjeç, R.F., 34 vjeç për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit'”, – thuhet në njoftimin e policisë.

Në orët e pasdites të kësaj të diele, policia në Këlcyrë njoftoi se një 30-vjeçar me iniciale M.P., u arrestua në flagrancë, duke fotografuar votën.

Një 43-vjeçar nga fshati Spathar i Librazhtit është arrestuar nga policia pasi ka fotografuar votën.

Atij iu sekuestrua aparati celular i përdorur në këtë rast, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë