Drejtësia

Krimet zgjedhore të 11 Majit, SPAK nis hetimet për 39 kallëzime

Gazeta Si – Një ditë pas zgjedhjeve të 11 Majit, SPAK ka publikuar të dhënat e fundit mbi hetimet për krime zgjedhore, duke theksuar se ka nisur hetimet për 39 kallëzime, ku 24 i ka dërguar në Prokuroritë e Rretheve.

Sipas raportit, janë administruar gjithsej 156 materiale kallëzuese, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme kanë kaluar në fazën e hetimit penal.

Përmes një postimi në platformën “Facebook”, SPAK bën me dije se nga këto 39 procedime penale, 21 prej tyre janë referuar nga Policia e Shtetit, 1 nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, 3 nga denoncimet e qytetarëve, 3 nga Prokuroritë e rretheve, 3 nga partitë politike, ndërsa 8 me iniciativën e vetë Prokurorisë së Posaçme.

Nga 39 procedimet penale, 33 janë për korrupsion aktiv në zgjedhje, 4 janë për korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje, 1 për përdorimin e funksionit publik për qëllime politike dhe 1 për shpërdorim detyre.

Prokuroria e Posaçme ka administruar 156 materiale në total. 39 prej tyre janë nën hetim nga SPAK-u, 25 janë vendime për mosfillimin e hetimit, 24 janë dërguar për kompetencënë prokuroritë e rretheve, 17 janë dërguar për verifikim në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe 1 është bashkuar me një çështje tjetër ekzistuese. Pjesa e mbetur sakaq është në process verifikimi.

SPAK dhe KQZ po bashkëpunojnë për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme, duke pasur në dispozicion 16 zyra në të gjitha qarqet e vendit për të adresuar shqetësimet e qytetarëve sa i përket këtyre veprave penale.

SPAK ka shpërndarë në terren 16 prokurorë, 3 prej të cilëve në Tiranë, 3 në Vlorë, 2 në Fier dhe nga 1 në 9 qarqet e tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë