Gazeta Si - Në një dyqan rrobash në Vlorë, janë zbuluar dhjetëra armë zjarri, ku kishte mina me telekomandë, kallashnikovë dhe pistoleta.
Gjergji Dervishaj është 31 vjeçari i arrestuar nga policia, pasi dyshohet se posedonte arsenalin e armëve ku u zbuluan minë me telekomandë, 4 armë zjarri automatik (njëri prej tyre me silenciator), 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, 1 peshore elektronike dhe 1 palë targa automjeti.
Sipas policisë, Dervishaj, i cili njihjen me nofkën “Zoto”, rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve.
I riu i njohur me nofkën "Zoto" rezulton të ketë në posedim dyqanin e kamufluar në një depo armësh të zbuluar në lagjen "10 korriku" ku u ushtruan kontrolle edhe në një banesë pranë dyqanit, që dyshohet se është në pronësi të të arrestuarit.
Autoritetet kanë pasur informacion mbi këtë depo dhe ka qenë në vëzhgim deri në momentin e ndërhyrjes sot, 12 shkurt.
Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Nuk dihet nëse minat me telekomandë dhe armët do t’i shiste apo do t’i përdorte në ndonjë atentat. Po ashtu në godinë janë gjetur edhe targa automjetesh, por nuk dihet nëse janë ose jo të vjedhura.
Dyshimet janë se 31-vjeçari i arrestuar mund të përdorte minat për ndonjë atentat të mundshëm ose t’i shiste ato, por rrethanat e ngjarjes mbeten për t'u sqaruar nga policia. Grupi hetimor është duke punuar mbi këtë ngjarje.
“Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, e bazuar në inteligjencën policore, parandalon ngjarje të rënda kriminale që mund të kryeshin me armë zjarri dhe mina me telekomandë. Finalizohet operacioni policor i koduar “Knock Out 4”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Sekuestrohen 1 minë me telekomandë, 4 armë zjarri automatik (njëri prej tyre me silenciator), 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, 1 peshore elektronike dhe 1 palë targa automjeti", - njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.