Gazeta Si - Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është 'blinduar' pak orë para finales së Conference League mes Romës dhe Fejnordit.
Autoritetet shqiptare kanë marrë masa të forta sigurie, duke parë edhe incidentet që ndodhën një natë më parë.
Pothuajse të gjitha rrugët e Tiranës janë të bllokuara dhe janë kthyer në pedonale për këmbësorët.
Ndërsa qendra e qytetit, e sidomos zona përreth stadiumit “Air Albania” është e blinduar nga forcat të shumta policie.
Sheshi “Nënë Tereza” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ka një prani të shtuar të forca policore, të cilët janë të përgatitur për çdo episod që mund të ndodhë.
Forca të shtuara policore rreth “Air Albanias”
Grupe të mëdha policisë shihen të stacionuara përreth stadiumit, ndërkohë që lejohet lëvizja vetëm të personave që kanë biletë dhe medieve.
Masat për finalen duket se janë intensifikuar edhe pas incidentet që kanë ndodhur mbrëmjen e djeshme ku tifozët u përplasën me tyre dhe me policinë.
Mbrëmjen e së martës, nga dhuna e shkaktuar nga dy tifozëritë, italiane dhe holandeze, mbetën të plagosur 19 tifozë.
Ndërkohë që Policia e Shtetit njoftoi se kanë mbetur të lënduar edhe disa efektivë.
Dyndje tifozësh në Rinas dhe në portin e Durrësit
Pak orë para finales, tifozët, kryesisht të Romës, por edhe Fejnordit po mbërrijnë në grupe për të parë ndeshjen në Tiranë.
Në pamjet e publikuara nga kryeministri Edi Rama duket se si është mbushur plot terminali i Durrësit dhe aeroporti i Rinasit. Ndërkohë, Rama shton se priten të vijnë edhe mbi 20 mijë vizitorë të tjerë.
Nga ana tjetër, tifozë italianë pritet të hyjë në Shqipëri përmes rrugëve tokësore, nga Kosova apo nga Mali i Zi.
Një pjesë e tyre kanë parapëlqyer të udhëtojnë nga Italia në Slloveni, Kroaci, Mal të Zi për të hyrë më pas në Shkodër, me destinacion final kryeqytetin.
Tragetet e Vlorës e bëjnë pushim
Ndërsa një pjesë e tifozëve kanë zgjedhur terminalin detar tëDurrësit, në Vlorë nuk janë parë turma tifozësh italinë të hyjnë nga porti.
Trageti i linjës Vlorë Brindisi ditën e sotme është pushim teksa nga autoritet portuale bëhet me dije se në tre ditët e mëparshme kanë hyrë rreth 750 persona.
Kjo është arsyeja pse tifozët që vijnë për ndeshje kanë zgjedhur sot Durrësin.
Të dhënat nga policia e Vlorës bëjnë me dije se 80 forca të policisë së shtetit dhe policisë rrugore janë nisur nga Vlora në mbështetje të policisë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjes në kryeqytet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.