Bota

Foto-Video / Tërmet katastrofik në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, mbi 2.300 të vdekur dhe rreth 10 mijë të plagosur

Gazeta Si - Numri i viktimave vijon të rritet pas tërmetit me magnitudë 7.9 që goditi gjatë natës (4:17 me orën lokale, 2:17 në Shqipëri) Turqinë jugore, jo shumë larg kufirit me Sirinë.

Vetëm në Siri janë 810 të vdekur nga tërmeti, përveç rreth 1500 në Turqi. Të plagosurit, vetëm në Turqi janë të paktën 7600 ndërsa në Siri janë mbi 1280.

Sipas të dhënave nga institutet e specializuara ndërkombëtare, tërmeti e kishte epiqendrën në një thellësi rreth 25 km dhe epiqendrën në provincën e Gaziantepit dhe zgjati rreth dy minuta.

Lëkundjet u pasuan nga një pasgoditje me magnitudë 6.7 ballë. Ndërkohë që dy tërmete të tjera shumë të fuqishme, u regjistruan në Turqinë qendrore, të magnitudave 7.7 dhe  5.9 të shkallës Rihter pak para mesditës së sotme.

Qendra e këtyre dy pasgoditjeve ka qenë në Elbistan, pak më shumë se 125 kilometra në vijë ajrore nga Gaziantep. Për momentin nuk dihen pasojat e këtyre lëkundjeve të forta.

Zv/Presidenti i Turqisë Fuat Oktay ka bërë të ditur se mbi 3.000 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. 10 janë qytetet turke që janë prekur nga ky tërmet. Në Siri, mediat atje raportojnë për të paktën 500 të vdekur dhe mbi 639 të plagosur.

Të plagosurit janë po ashtu me mijëra persona. Shifrat janë paraprake dhe numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, pasi të shumtë janë ata që dyshohen të jenë zënë nën rrënoja.

Lëkundjet e forta shembën shumë ndërtesa dhe ekipet e shpëtim-kërkimit po punojnë për nxjerrjen e njerëzve të zënë poshtë.

Tërmeti i kësaj të hëne besohet të jetë më i forti që godet Turqinë që prej vitit 1939, kur një tërmet me magnitudë të njëjtë i mori jetën 30 mijë personave.

Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit.

Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, që jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend.

Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.

Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë