Ne rrjet

‘Foto vetëm me flamuj bullgarë’ / Përplasje mes Shkupit e Sofjes, Davkova: Devijim nga protokolli. Radev: Nuk ishte vizitë pune

Nga Gazeta 'Si' - Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar për shkak të vizitës së fundit të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova në Bullgari dhe fotografimit me presidentin bullgar Rumen Radev “vetëm me flamuj bullgarë”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka thirrur ambasadorin e Republikës së Bullgarisë.

Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup, në takim është shprehur shqetësimi për shkak të devijimit nga protokolli i dakorduar për fotografimin e dy presidentëve dhe është kërkuar sqarim shtesë nga pala bullgare.

Për devijimin nga protokolli është ankuar edhe Presidentja, e cila për mediat vendase ka thënë se megjithatë, ka vendosur që të fotografohet dhe të mos shkaktojë skandal.

Lidhur me ngjarjet ka reaguar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili i ka paralajmëruar edhe një notë proteste ndaj Bullgarisë.

“Kur kalohet vija e kuqe, atëherë duhet të reagohet”, tha Mickoski, duke shtuar se “nëse nuk reagohet, atëherë ai përjashtim do të bëhet praktikë”.

Reagime ka pasur edhe nga opozita maqedonase, e cila kritikoi veprimet e presidentes Siljanovska-Davkova dhe ministrit Mucunski.

Pas hapjes së çështjes për flamujt edhe në opinionin bullgar, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev deklaroi se "vizita nuk ishte as shtetërore, as vizitë pune" dhe për këtë arsye nuk u zbatua protokolli i flamujve.

"Kemi pasur një bisedë shumë të sinqertë dhe konstruktive në një atmosferë miqësore", tha Radev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë