Bota

Foto / Sulm me makinë në Tel Aviv në një stacion autobusi, 7 të plagosur

Gazeta Si – Në Tel Aviv, 7 persona u plagosën nga një makinë që i përshkoi në një stacion autobusi në veri të qytetit. Sipas mediave lokale, një grua është në gjendje të rëndë. Pas goditjes nga automjeti, në zonë ka pasur disa të shtëna me armë zjarri.

Sipas policisë, bëhet fjalë për një sulm. Mediat raportojnë se personi që drejtonte makinën është vrarë nga një civil.

Sipas raporteve të mediave izraelite, makina përplasi një automjet tjetër. Kështu që pati të shtëna. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë sulmuesin të vdekur në vendngjarje.

Menjëherë kanë mbërritur disa autoambulanca, një 46-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë dhe dy persona të tjerë në gjendje më të qëndrueshme.

Zëdhënësi i organizatës Hamas, Hazem Qassem, vlerësoi sulmin, duke thënë: “Sulmi heroik në Tel Aviv është përgjigja e parë ndaj krimeve të okupimit kundër popullit tonë në Jenin. Pushtimi do të paguajë çmimin për krimet e kryera kundër Jeninit. Ne lavdërojmë heronjtë e popullit tonë dhe luftëtarët në Jenin”.

Sulmi në Tel Aviv vjen vetëm disa orë pas një operacioni në shkallë të gjerë të nisur nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit në Jenin, në Bregun Perëndimor verior.

Dhjetë palestinezë u vranë në sulmin izraelit, duke përfshirë 17-vjeçarin Mustafa Nidal Qassem, përfshirë dhe një burrë, trupi i të cilit u gjet në fusha nga stafi i Gjysmëhënës së Kuqe. Të lënduarit janë mbi 100.

Pas fillimit të operacionit izraelit, udhëheqja palestineze njoftoi ndërprerjen e të gjitha kontakteve me Izraelin.

Presidenti Mahmoud Abbas ka ftuar liderët e fraksioneve politike palestineze “në një takim urgjent për të diskutuar dhe rënë dakord mbi një vizion gjithëpërfshirës kombëtar dhe për t’u bashkuar kundër agresionit izraelit”.

Ai më pas u kërkoi Kombeve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrin veprime “urgjente” për të detyruar Izraelin të ndalojë evakuimin e banorëve të kampit të refugjatëve Jenin.

Izraeli u përgjigj menjëherë, pasi njoftoi se “në fund të ditës së parë të luftimeve, 1500-3000 banorë lanë shtëpitë e tyre”, por e bënë këtë “me iniciativën e tyre”.

Burime ushtarake shtuan se në ditën e parë të operacionit, ushtria arriti të kapte 120 persona në kërkim, nga një listë me 160 emra.

Kërkimet e reja tani fokusohen te anëtarët e dy celulave përgjegjëse për sulmet e fundit, duke përfshirë vrasjen e një izraeliti në vendbanimin hebre Hermesh në Bregun Perëndimor.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, tha se Izraeli ka të drejtë të “mbrojë popullin e tij” nga sulmet terroriste, por gjithçka duhet bërë për të mbrojtur civilët gjatë operacioneve ushtarake.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë