Gazeta Si – Policia e Shtetit ka zbuluar mijëra bimë narkotike në të gjithë vendin në një megaoperacion të shtrirë në Skrapar, Elbasan, Krujë dhe Lezhë.
Sipas policisë, janë angazhuar 300 forca policore dhe 9 dronë, ndërsa në total janë gjetur dhe asgjësuar nëpërmjet djegies, 1777 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa.
Ndërkohë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 shtetas, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.






Në Skrapar, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tomorri”, në një terren të hapur rishtazi, në një zonë të pyllëzuar dhe të thellë malore, në territorin e njësisë administrative Gjerbës, u gjetën të kultivuara në kubikë, në një serë, si dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 1000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasi O. Gj., 39 vjeç, banues në fshatin Bërsak, Skrapar. Vijon puna për kapjen e 39-vjeçarit.
Në Elbasan kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta”, në një zonë pyjore, në fshatin Seltë, njësia administrative Zavalinë, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 160 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasi A. D., 53 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Y. Ç., 56 vjeç, F. L., 45 vjeç (me detyrë inspektorë pyjesh në zonat e Gjinarit dhe Zavalinës) dhe K. B., 55 vjeç (kryetari i fshatit Seltë). Vijon puna për kapjen e 53-vjeçarit.
Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të operacionit “Çereshta”, në Elbasan të zhvilluar më 18 qershor 2023, nga Policia e Librazhdit, ditën e djeshme u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 92 bimë të tjera të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në total nga ky operacion janë asgjësuar 672 bimë dhe fidanë narkotikë cannabis sativa. Autorë të kultivimit të këtyre bimëve dhe fidanëve, dyshohet të jenë shtetasit e shpallur në kërkim S. D. dhe K. D. Gjithashtu, gjatë kontrolleve përreth territorit ku u gjetën bimët narkotike, në një tendë kampingu, të dyshuar të përshtatur për qendrim, nga shtetasit S. D. dhe K. D., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në 2 qese plastike. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Në Krujë, në kuadër të megaoperacioni policor të koduar “Territor i pastër”, në një zonë pyjore, në fshatin Cudhi Kamp, njësia administrative Cudhi, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 195 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Vijojnë veprimet hetimore për përcaktimin e autorësisë së këtij rasti kultivimi.
Në Lezhë, në kuadër të megaoperacioni policor të koduar “Imazhi”, në një zonë pyjore, në fshatin Malecaj, njësia administrative Balldre, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 330 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Vijojnë veprimet hetimore për përcaktimin e autorësisë së këtij rasti kultivimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



