Gazeta Si - Në ditën e 7 të zjarreve, Greqia ka dërguar dy avionë zjarrfikës Canadair për të shuar zjarret në zonën në Pishporo-Darëzezë të Fierit, të cilët kanë nisur nga puna menjëherë.
Avionët Canadair janë dërguar pas kërkesës së Shqipërisë të bërë në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, të cilës Greqia ju përgjigj pozitivisht.
Avionët do të ndihmojnë në shuarjen e flakëve në Pishporo që ka djegur një sipërfaqe prej 500 hektarë pyll me pisha. Zjarri në këtë zonë po vijon prej një jave.
"Dy avionë Canadair CL-415 po punojnë për shuarjen e flakëve në vatrën e zjarrit në Darëzezë.
Presim që shumë shpejt, bashkë me punën nga terreni të 20 efektivëve të MZSH Fier, 40 forcave të FA dhe mjeteve të përfshira në këtë aksion, vatra të izolohet tërësisht!", - konfirmon lajmin në një postim në Fb ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Në fakt, beteja me flakët në masivin pyjor të Pishporos dhe në Darëzezë të Fierit, vazhdon në ditën e 7 të saj.
Sipas shefit të shërbimit zjarrfikës të Bashkise Fier, Zija Hyka, vatra më problematike mëngjesin e kësaj të hëne mbetet Darëzeza.
Pranë vatrës së zjarrit ndodhen tre mjete zjarrfikëse, ndërkohë që ky masiv pyjor shtrihet përgjatë vijës bregdetare ku operojnë edhe lokale sezonale.
Ndërkohë, dje për të parë e ka ndjekur nga afër situatën në terren ministri i Brendshëm Taulant Balla së bashku me Prefektin e Qarkut dhe kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.
Në një prononcimin për mediat, Balla ka vlerësuar situatën si tepër problematike. Ministri është ndalur edhe njëherë tek zjarrvënia, duke e konsideruar vepër të rëndë penale. Ai kërkoi dënime të ashpra për zjarrvënësit.
Balla po ashtu theksoi se do të ketë vëmendje të shtuar për masivet pyjore, veçanërisht në zona të mbrojtura.
Sipas prefektit Lefter Shehaj, operacioni ka filluar në orët e para të mëngjesit të sotëm ku në terren po punojnë 5 mjete zjarrfikëse me 20 efektivë, 40 efektivë të forcave të armatosura , punonjës të ADZM, forca mbështetëse të bashkisë dhe një buldozer i Ministrisë së Mbrojtjes. Vatrat e zjarrit aktualisht janë me intensitet të ulet për shkak të vesës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.